Futboll

Statovci e Munishi në procedurë disiplinore për “ofendime dhe kërcënime”

Statovci e Munishi në procedurë disiplinore për “ofendime dhe kërcënime”

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka hapur procedurë disiplinore ndaj trajnerit të Rilindjes 1974, Faruk Statovci. 

Ish-futbollisti, që e luan edhe rolin e analistit në studio televizive, ofendoi dhe kërcënoi gjyqtarin kryesor dhe gjyqtarin e katërt në ndeshjen ndaj Trepçës, që i takoi javës së 19-të të Ligës së Parë. 

“I pakënaqur me akordimin e penalltisë për vendasit, hyn në fushë ofendon dhe kërcënon gjyqtarin kryesor si dhe vërsulet në drejtim të gjyqtarit të katërt dhe të njëjtin e kërcënon dhe ofendon”, shkruan në vendimin e Komisionit të Garave. 

Statovci është i punësuar në Federatë si trajner te përfaqësuesja U15. 

Ai edhe në fund të muajit shkurt ishte dënuar me dy ndeshje për fyerje ndaj arbitrave gjatë dhe pas ndeshjes me Istogun. Në atë rast ishte dashur edhe intervenimi i policisë për të ofruar siguri për gjyqtarët.

Për ofendime dhe kërcënime është hapur procedurë disiplinore edhe ndaj trajnerit të Dukagjinit, Ismet Munishi. Në arsyetim thuhet se Munishi kishte nisur fushatë kundër gjyqtarit kryesor para ndeshjes ndaj Dritës. 

“I njëjti posa kanë arritur në stadiumin ‘18 Qershori’ në Klinë, gjatë inspektimit të fushës, fillon menjëherë me kërcënimet dhe sharjet në drejtimin të gjyqtarit kryesor”, shkruan në arsyetimin e vendimit. 

Munishi ishte përjashtuar me karton të kuq në minutën e 42-të pas pësimit të golit. Siç shkruan tutje KG-ja, Munishi, pati telashe edhe me bankën e rezervistëve të Dritës. “Në minutën e 42-të, pas shënimit të golit të mysafirëve vërsulet në drejtim të bankinës mysafire për t’u kacafytur me ta, shanë dhe ofendon në mënyrë të pakontrolluar për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt. I njëjti nuk dëshiron të largohet nga fusha por me insistimin e stafit të KF Dukagjini dhe delegatit të ndeshjes e largojnë për në tribuna”..

Në procedurë disiplinore ka përfunduar edhe Llapi, për dështim në organizimin e ndeshjes ndaj Suharekës. Ka pasur hedhje të mjeteve piroteknike “e njëra prej tyre shpërthen afër portierit të FC Suhareka, për çka ndërpritet ndeshja ku jepet ndihma nga stafi mjekësor”, shkruan në vendim.