Elvis Rexhbeçaj e kishte shënuar golin e parë të Augsburgut në fillimin e edicionit të kaluar të Bundesligës, në barazimin 4:4 me Borussia Moenchengladbachun. Rexhbeçaj edhe këtë sezon e nisi me gola. Realizoi të dielën e kaluar në fitoren 4:1 të Augsburgut në udhëtim te Viktoria Berlini, në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë, ndërsa shkëlqeu edhe në këtë fundjavë. Mesfushori i ri i Kosovës realizoi me gjuajtje shumë të fuqishme nga 28 metra distancë, në ndeshjen në të cilën Augsburgu barazoi 2:2 me Werder Bremenin, në xhiron e parë të Bundesligës. Topi mori shpejtësi prej 106 km/h, ndërsa rezultati u barazua në 1:1.
26-vjeçari duket në formë tejet të mirë para ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve. Kosova e nis ciklin e ri të Ligës së Kombeve me ndeshjen ndaj Rumanisë, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Dhe me Rexhbeçajn në formë, mesfusha e Kosovës mund të duket më ndryshe.
Rexhbeçaj të shtunën për faqen zyrtare të Augsburgut ka thënë pas ndeshjes se është shumë i lumtur me golin e shënuar, por i dëshpëruar që ekipi i tij nuk mori pikët e plota.
“Jam padyshim shumë i kënaqur që gjuajtja ime përfundoi me gol të shënuar dhe Samueli më pas realizoi tjetër gol. Nuk jemi të kënaqur pasi nuk morëm pikët e plota. Ishim më ofensiv se kundërshtari dhe ishin dy situata të diskutueshme të cilat nuk u dhanë në favorin tonë”, ka theksuar Rexhbeçaj.
Ai shtoi se loja nuk ishte e lehtë pasi edhe Werderi kërkoi të nxjerrë maksimumin nga ky ballafaqim.
“Të dyja klubet donin të luanin lojë sulmuese, e cila nuk ishte e lehtë, veçanërisht për shkak të temperaturave. Natyrisht ne kishim dëshirë që të kalonim të parët në epërsi, por po ashtu ishte e rëndësishme që të ishim në gjendje ta kthenim lojën në të mirën tonë”, ka shtuar tutje ai.
Ndeshjen e radhës në Bundesligë, Augsburgu e zhvillon në udhëtim te Heidenheimi më 1 shtator.
Pas atij ballafaqimi, Rexhbeçaj pritet t’i bashkohet Kosovës që luan më 6 shtator kundër Rumanisë në Prishtinë.
“Tani duhet të punojmë për ndeshjen e ardhshme dhe ta mbajmë intensitetin e lartë në mënyrë që të sulmojmë sërish në javën tjetër dhe të mos bëjmë gabime”, deklaroi Rexhbeçaj.
Mesfushori qendror është pjesë e Augsburgut prej korrikut të vitit 2022 kur u transferua nga Wolfsburgu. Karrierë ka bërë edhe te Bochumi e Koelni. Pra është futbollist i zhvilluar në Gjermani, dhe me shumë përvojë në elitën gjermane të futbollit.
Ai ka zhvilluar 160 paraqitje në Bundesligë, ndërsa ka dhjetë gola të shënuar e tetë asistime në total.