Futboll

Starti i furishëm bën që Malisheva të rritë synimet

KF Malisheva

Në Superligën e Kosovës në futboll është në edicionin e katërt rresht. Ndërkohë, suksesin më të madh Malisheva e arriti në edicionin e kaluar të elitës së futbollit kosovar. Përfundoi në pozitën e katërt me 57 pikë dhe për herë të parë në histori u kualifikua për gara evropiane. U eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Buduqnosti i Podgoricës.

Rritja e Malishevës megjithatë po vazhdon. Këtë edicion, pas xhiros së tetë, Malisheva është lidere në Superligë me 17 pikë. Ka pesë fitore, si asnjë skuadër tjetër, dy barazime e një humbje.

Malisheva ende nuk vlerësohet prej skuadrave të mëdha të elitës kosovare. Megjithatë aktualisht është lidere dhe ka tri pikë më shumë se Ballkani e Llapi.

Fillimi i mirë në një mënyrë ka befasuar edhe vetë anëtarët e klubit.

Trajneri Bekim Isufi vlerëson ecurinë e skuadrës në pjesën e deritashme të kampionatit. Isufi mori drejtimin e Malishevës dhjetë ditë para fillimit të kampionatit. E zëvendësoi Qëndrim Kidën.

“Jemi të kënaqur me paraqitjen e lojtarëve, me seriozitetin që e kanë treguar gjatë këtyre muajve. Po ashtu jemi të kënaqur edhe me pozitën ku jemi. Nuk duhet mohuar cilësinë, por as edhe pozitën. Nuk e kemi menduar, të bëhemi realistë, që do të jemi këtu. Por futbollistët kanë treguar që kanë kualitet dhe mendoj që edhe punën që janë duke e bërë gjatë javës në stërvitje po e kurorëzojnë në ndeshjet kampionale”, ka deklaruar Isufi për KOHËN, të dielën.

Në fundjavë nuk kishte ndeshje të Superligës, për shkak të aktiviteteve të ekipeve përfaqësuese. Pushimin dyjavor, Malisheva po e shfrytëzon për ngritje të mëtejme të formës dhe për komponim edhe më të mirë.

Për të dielën, Isufi kishte ftuar lojtarët në stërvitje paradite. Stërvitja u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj”.

Isufi, 48-vjeçar, ka udhëhequr edhe skuadra si Drita, Hajvalia, Ferizaj, Vllaznia Pozheran, Ballkani. Ka qenë edhe selektor i Kosovës U20. Me Dritën ka fituar titullin e kampionit në edicionin 2017/18, ndërsa atë vit e fitoi edhe Superkupën e Kosovës. 

Për formën e mirë të skuadrës është i lumtur edhe mbrojtësi Agon Xhaka.

“Normalisht, ka qenë një ecuri e mirë. Falës punës së trajnerit dhe gjithë skuadrës është duke shkuar gjithçka në rregull. Shpresojmë që të vazhdojmë me këtë ecuri të mirë”, ka thënë Xhaka.

Malisheva ndeshjen e radhës në kampionat e ka ndaj Prishtinës, të shtunën nga ora 13:00. Ndeshja luhet në Malishevë.

Trajneri Isufi thotë se ndeshjes me Prishtinën skuadra malishevase do t’i qaset me seriozitetin maksimal.

“Si çdo kundërshtar, edhe kundërshtari i radhës është i rëndësishëm. Siç i jemi qasur  deri në këtë xhiro, do t’i qasemi edhe kundërshtarit të radhës. Kundërshtari i radhës ka shumë kualitet, ka pasur vazhdimësi të mirë, ka lojtarë shumë cilësorë. Po neve na mbetet që ta analizojmë kundërshtarin dhe me seriozitetin më të madh ta luajmë këtë ndeshje. Është shumë e rëndësishme si për ne po ashtu edhe për kundërshtarin”, ka thënë Isufi.

Për mbrojtësin Agon Xhaka, ndeshja ndaj Prishtinës është e vështirë. Ai në të kaluarën ishte pjesë e skuadrës prishtinase, që tani është e katërta në tabelë me 13 pikë.

“Është një ndeshje shumë e vështirë, duke e ditur kualitetin e Prishtinës. Shpresojmë që t'i marrim tri pikët dhe ta vazhdojmë këtë ecuri të mirë”, ka theksuar Xhaka.

Derisa Isufi e Xhaka nuk e përmendin ende titullin e kampionit, mesfushori Laurent Xhylani e bën të qatë synimin e madh. Xhylani është prej lojtarëve të rëndësishëm të Malishevës.

“Synimet tona kanë qenë vetëm dalja në Evropë. Tashmë do ta shohim se si do të shkojë ecuria dhe pse jo të shpallemi kampion në fund”, deklaroi 20-vjeçari.

Malisheva asnjëherë nuk ishte e përfshirë në garën për trofe në futbollin kosovar. Me ecurinë aktuale, ky fakt mund të ndryshojë në pranverën e ardhshme.