Mbrojtësi i krahut, Josip Stanishiq, do të jetë jashtë fushave për disa javë. Kështu ka raportuar të martën gjiganti gjerman, Bayern Munich.
Kroati ka pësuar një lëndim të rëndë në gjurin e këmbës së djathtë. Ai u lëndua gjatë seancës stërvitore të hënën.
“Stanishiq do të jetë jashtë fushës për disa javë pasi u lëndua rëndë në gjurin e tij të djathtë në stërvitje të hënën. Ky ishte rezultati i një ekzaminimi nga departamenti mjekësor i Bayernit”, ka shkruar skuadra gjermane.
Stanishiq u rikthye te Bayerni pas huazimit njëvjeçar që e kaloi te skuadra tjetër gjermane, Bayer Leverkusen. Ai me Leverkusenin në edicionin e kaluar luajti 38 ndeshje. Kontribuoi me katër gola e gjashtë asistime, ndërsa e fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. 24-vjeçari me Bayernin ka kontratë deri në verën e vitit 2029.