Futboll

Sloti ende nuk flet për titull në Angli

Arne Slot

Foto: Associated Press

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka thënë se nuk po e mendon titullin e kampionit të Anglisë me Liverpoolin. 

Holandezi pritet t’i bashkohet një grupi të vogël të trajnerëve që fitojnë titullin në vitin e parë në krye të një klubi. 

“Nuk shoh prapa shumë dhe nuk shoh shumë para. Jam ky personi që jam”, ka thënë të premten në konferencën për shtyp tekniku i Liverpoolit. 

Liverpooli është në prag të titullit të 20-të në Premier League, që do ta barazonte rekordin e Manchester Unitedit. Titulli mund të fitohet të dielën, nëse fillimisht Ipswichi e mposht Arsenalin e më pas Liverpooli fiton ndaj Leicesterit. 

“Nuk po e mendoj shumë këtë”, ka thënë Slot, ekipi i të cilit ka 13 pikë më shumë se Arsenali, gjashtë xhiro para fundit. 

Sloti, që e e zëvendësoi Jurgen Kloppin verën e kaluar, mund ta barazojë të arriturën e Jose Mourinhos te Chelsea në vitin 2005, Carlo Ancelottit te Chelsea në vitin 2010, Manuel Pellegrinit te Manchester City në vitin 2014, Claudio Ranierit me Leicester Cityn në vitin 2016 dhe Antonio Contes me Chelsean në vitin 2017. 

Të gjithë këta trajnerë e kanë fituar Premier Leaguen në edicionin e parë të tyre në krye të këtyre skuadrave. 

Te Liverpooli më herët në edicionin e parë në krye titullin e fitoi Joe Fagan në vitin 1984, dy vjet para se Kenny Dalglish ta arrinte të njëjtin sukses.