Futboll

Skuadrat kosovare mësojnë kundërshtarët e mundshëm

FC Ballkani

Ballkani, Llapi dhe Drita i kanë mësuar kundërshtarët, në rast të kalimit në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Të hënën është hedhur shorti për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, në raundin e tretë, në rast të kualifikimit, do të përballet me skuadrën e Irlandës së Veriut, Larne. 

Ballkani duhet së pari ta mposhtë skuadrën nga Malta, Hamrun. Ballkani u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga skuadra e Andorrës, Santa Coloma, dhe garën e vazhdon në Ligën e Konferencës. 

Llapi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës do të përballet me skuadrën daneze, Brondby. Në rast të kalimit tutje, Llapi në raundin e tretë do të takohet me fituesin e ndeshjes mes Legia Varshavës së Polonisë dhe Caernarfonit të Uellsit. 

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës nga skuadra polake Wisla Krakow. 

Drita e Gjilanit garat evropiane do t’i fillojë në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, ndaj skuadrës islandeze, Breidabliku. Në rast të kalimit tutje, Drita në raundin e tretë do të takohet me fituesin e ndeshjes mes Audas së Letonisë dhe Cliftonville të Irlandës së Veriut.