Skuadra me nam si Manchester Unitedi, Roma, Porto, Ajaxi e Tottenhami nisin garën kontinentale. Por jo në Ligën e Kampionëve, ku janë skuadrat më të suksesshme të kontinetit.
Këto skuadra e dhjetëra të tjera nisin garimin në fazën e ligës në Ligën e Evropës.
Liga e Evropës është niveli i dytë i garave kontinentale për klube të futbollit dhe njëjtë si në Ligën e Kampionëve, faza grupore është zëvendësuar me fazë të ligës. Pjesë e Ligës së Evropës janë 36 skuadra, ndërsa secila prej tyre i luan nga tetë ndeshje në fazën e ligës. Në fund, tetë skuadrat me më së shumti pikë kualifikohen në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë deri në vendin e 24-t kualifikohen në plejof. Dhe skuadrat prej vendit të 25-të deri në vendin e 36-të, eliminohen.
Xhiroja e parë zhvillohet të mërkurën e të enjten. Të mërkurën janë nëntë ndeshje e të enjten po ashtu nëntë. Faza e ligës nisë me ndeshjet AZ Alkmaar – Elfsborg dhe Bodo/Glimt – Porto, që zhvillohen të mërkurën nga ora 18:45.
Në terminin e dytë, prej orës 21:00, luhen shtatë ndeshje të tjera. Gjiganti anglez, Manchester United, e pret Twenten në “Old Trafford”.
Për trajnerin e Unitedit, Erik ten Hag, do të jetë ndeshje e veçantë. Ai ka luajtur gjatë për Twenten. E nisi karrierën te kjo skuadër, ndërsa ishte tifoz i Twentes edhe si fëmijë.
“Twente më ka dhënë shumë”, ka thënë Ten Hag për klubin ku i kaloi tri periudha si lojtar dhe më pas punoi si trajner i të rinjve dhe asistent.
“Kam kaluar nëpër akademinë e Twentes. Isha pjesë e gjeneratës së ekipit të parë të të rinjve, kur garat e të rinjve nisën shumë vjet më parë. Kështu që një pjesë e rëndësishme e historisë sime është atje”, ka shtuar holandezi.
Ten Hag ka vazhduar duke thënë se prej të gjitha klubeve, Twenten e përcjell më së shumti.
Unitedi asnjëherë nuk ka luajtur me Twenten në ndeshje zyrtare.
“Unë e shikoj Twenten si tifoz. Si përkrahës, jo si analist. Është mënyrë tjetër e përcjelles së ndeshjeve të saj”, ka shtuar trajneri i Unitedit.
Manchester Unitedi natyrisht është favorit i madh ndaj skuadrës holandeze.
Prej orës 21:00 janë edhe disa ndeshje tjera interesante. Ndeshja mes Dynamo Kyivit e Lazios zhvillohet në Hamburg për shkak të luftës në Ukrainë. Atmosferë e zjarrtë pritet në Stamboll, ku Galatasaray e pret PAOK-un grek.
Anderlecht – Ferencvarosh, Ludogorets – Slavia Praga, Midtjylland – Hoffenheim, Nice – Real Sociedad janë ndeshjet tjera që zhvillohen të mërkurën mbrëma.
Ajax – Beshiktash, Roma – Athletic Bilbao e Lyon – Olympiacos janë prej ndeshjeve kryesore të enjten. Tottenhami e pret Qarabagun dhe llogarit në pikët e para.