Futboll

Skandali i yllit portugez të Cityt, u arrestua pasi vodhi telefon në klub nate

Nunes

Mediat spanjolle kanë ekspozuar skandal të madh ku figurë kryesore është ylli i Manchester Cityt, Matheus Nunes, futbollist të cilin skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola e bleu për 60 milionë euro në verën e vitit 2023.

Siç shkruan “El Mundo Deportivo”, më 8 shtator të këtij viti, Nunesi përfundoi në burgun e Madridit pas vjedhjes që kreu në një nga klubet e natës në kryeqytetin e Spanjës dhe gjithçka u mbulua për rreth 20 ditë.

Gazeta spanjolle shkruan se 26-vjeçari i kombëtares portugeze u ndalua në orët e para të mëngjesit të 8 shtatorit në diskotekën e madhe “La Riviera” dhe më pas u dërgua në policinë lokale për t’u marrë në pyetje.

Nunes u arrestua pas një incidenti që pati me një 58-vjeçar në tualetin e një klubi nate. Ylli i Cityt i vodhi telefonin të moshuarit pasi tentoi ta fotografonte në tualet dhe më pas Nunesi nuk pranoi t’ia kthente.

26-vjeçari e kaloi mëngjesin nën pranga dhe u dërgua në komisariatin e policisë në lagjen e Madridit në Arganzuela dhe u lirua pak orë më vonë pas ndërhyrjes së një avokati.

Sipas Mundos, Nunes pritet të përballet me akuza dhe gjyq për këtë incident.

Nunesi po qëndronte me miqtë në Madrid ato ditë pasi trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez nuk e ftoi për ndeshjet ndërkombëtare në Ligën e Kombeve.

Nunes u transferua te Manchester City në verën e vitit 2023 nga Wolverhamptoni për 60 milionë euro. Nunesi ka luajtur të martën mbrëma të 90 minutat në fitoren e Manchester City ndaj Slovanit në Bratislavë, në ndeshjen e xhiros së dytë të Ligës së Kampionëve.