Real Madridi eliminoi Atleticon për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma, aty ku do të takohet me Arsenalin. Los Blancos fituan në penallti 4:2, por kualifikimi i tyre u kontestua shumë.
Atleticos iu anulua penalltia e Julian Alvarezit, pasi sipas vendimit të VAR-it, e preku topin dy herë me këmbë gjatë ekzekutimit. Megjithëse, një gjë e tillë është e vështirë për t’u vërejtur me sy të lirë.
Pas ndeshjes, trajneri i Atleticos, Diego Simeone, pyeti gazetarët nëse dikush e pa që Alvarezi e kishte prekur topin dy herë.
“Unë nuk kam folur me Julianin. A e keni parë atë? A e keni parë atë duke prekur topin dy herë? Mos u frikësoni, a e pa dikush këtu që e preku dy herë? Ngrini dorën nëse e keni bërë", pyeti gazetarët në konferencë dhe askush nuk e ngriti dorën.
“Ne luajtëm lojë shumë të mirë, luftuam jashtëzakonisht, mund të kishim dyfishuar avantazhin në kohën shtesë. Pashë që Juliani rrëshqiti në penallti dhe topi nuk lëvizi. Jam krenar për lojtarët e mi dhe mënyrën se si luftuam. Nuk arritëm ta mposhtim Real Madridin në Champions, por gjithmonë u dhamë atyre luftë të madhe dhe ndeshje të vështira. Ne luajtëm me shumë energji, fuqi dhe kontrolluam lojën e skuadrës kundërshtare. Kur Juliani rrëshqiti, topi nuk lëvizi, por kjo është diçka që nuk e kam parë kurrë në ekzekutimin e penalltive dhe dua të besoj se ai e preku topin”, ka thënë Simeone.
Atletico nuk do të ketë shumë kohë për të pushuar, pasi të dielën ka derbin me Barcelonën në La Liga.
“Nuk është e lehtë ta përtypësh këtë rënie, të mos gënjejmë. Kemi një kundërshtar të madh të dielën. Barcelona do të jetë e lumtur që luajtëm shtesë sonte. Arrijmë atje të mposhtur, të lodhur, të eliminuar nga Championsi, por do të luajmë dhe do të japim gjithçka”, përfundoi Simeone.
Atletico është në luftë për titullin e ligës, por është edhe në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit – ku në ndeshjen e parë barazoi 4:4 me Barcelonën.