Futboll

Si ia siguroi ndeshja ndaj Kosovës rekordin e veçantë përfaqësueses së Islandës?

Islanda - Kosova , Milot Rashica - Mërgim Vojvoda

Foto: Associated Press

Islanda e Kosova ishin përballur më 9 tetor të vitit 2017 në Reikjavik. Ndeshja ishte zhvilluar në praninë e 9.775 shikuesve, ndërsa Islanda kishte fituar 2:0 me golat e Gylfi Sigurdsson dhe Johan Gudmundsson. 

Për Kosovën ishte humbja e radhës në ciklin e parë kualifikues të saj. Për Islandën ishte rezultat historik. Me fitore, Islanda u bë vendi me numrin më të vogël të popullsisë që u kualifikua për Kampionat Botëror.

Islanda e fitoi Grupin I të kualifikimeve, që ishte shumë i fortë. Mblodhi 22 pikë, dy më shumë se Kroacia, që ndërkohë në Botërorin “Rusia 2018” arriti deri në finale. Më poshtë në renditje ishin Ukraina, Turqia, Finlanda dhe Kosova.

Kur u kualifikua në Botëror, Islanda llogaritej se i kishte 335 mijë banorë. Rekordin para Islandës e mbante Trinidad & Tobago me 1.3 milionë banorë.

Në Botërorin në Rusi, Islanda ishte në një grup shumë sfidues. Barazoi 1:1 me Argjentinën e Lionel Messit, më 16 qershor 2018. Më pas humbi 2:0 nga Nigeria dhe 2:1 nga Kroacia, që golin e fitores e shënoi në minutën e 90-të. Nuk e kaloi grupin, por paraqitja në “Rusia 2018” vazhdon të jetë historike.
Sa u takon kualifikimeve për Botërorin 2018, Islanda e kishte mposhtur 2:1 Kosovën edhe në “Loro Boriçi” në Shkodër, më 24 mars 2017. Atdhe Nuhiu, tani ndihmëstrajner te Kosova, e kishte shënuar golin.

Rrugët e Kosovës e Islandës kryqëzohen sërish.

Të enjten, nga ora 20:45, është ndeshja Kosova – Islanda në “Fadil Vokrri”. Të dielën dy përfaqësueset përballen në Murcia të Spanjës, pasi stadiumi i Islandës në Reikjavik nuk është i gatshëm.

Ndeshjet i takojnë plejofit të Ligës së Kombeve, përkatësisht Ligës B. Në Ligën B ishte Islanda, ndërsa në Ligën C ishte Kosova, që për herë të parë synon kalimin në B.

Islanda më nuk është kualifikuar në Botëror, kështu që “Rusia 2018” mbetet kulmi për këtë përfaqësuese. Islandezët ishin paraqitur edhe në Evropianin 2016, ku kishin arritur deri në çerekfinale. Puna e madhe në fushën e lojës dhe pasioni për ta prezantuar vendin e tyre sa më mirë i ka karakterizuar islandezët. Ata nuk janë shquar dhe nuk shquhen për teknikën e lojës. Por dallohen si luftëtarë të mëdhenj dhe që nuk ndalen deri në fund.

“Pasioni dhe përkushtimi maksimal i lojtarëve na ka bërë të njohur në gjithë botën. Shpirti luftarak dhe shpirti ekipor ende është prezent tek ne. Përfaqësuesja jonë ka ruajtur pikat kryesore të forta, ndonëse grupi i lojtarëve ndryshon dhe skuadra evoluon, njëjtë si në çdo përfaqësuese tjetër”, ka thënë për KOHËN selektori i Islandës, Arnar Gunnlaugsson.

Të gjithë lojtarët e Islandës paraqiten në klube evropiane. Kapiten i ri është 20-vjeçari Orri Oskarsson, sulmuesi i Real Sociedadit. Hakon Arnar Haraldsson, bashkëlojtari i Edon Zhegrovës te Lille, është zëvendëskapiten.

Islanda ka lojtarë në top-liga evropiane, por jo në skuadrat kryesore. Tre lojtarë të ekipit aktual të Islandës janë paraqitur në atë ndeshje historike me Kosovën: Aron Einar Gunnarsson, Arnor Ingvi Traustason dhe Sverrir Ingi Ingvason.

Te Kosova prej lojtarëve aktualë kishin startuar Amir Rrahmani, Milot Rashica, Mërgim Vojvoda, Valon Berisha e Leart Paqarada. Ishte aktivizuar edhe Vedat Muriqi, ndërsa në stol ishin edhe Fidan Aliti e Visar Bekaj.