Lindon Selahi e vendosi më 15 dhjetor derbin e madh kroat mes Hajdukut të Splitit dhe Rijekës.
Ndeshja e xhiros së 17-të, e fundit për këtë vit, kishte përfunduar 2:2, ndërsa Selahi e shnëoi golin e dytë për Rijekën dhe të fundit në ndeshje.
Ai kishte realizuar në minutën e 46-të, ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë.
Të mërkurën, mediumi kroat “24sata.hr”, ka shkruar se Selahi u ndëshkua me karton të verdhë për shkak të festës me shqiponjë.
Në pamjen e parë, futbollisti i Rijekës u pa duke festuar në stilin e “djaloshit të relaksuar”.
Fillimisht, ajo festë e tij u mendua si provokim për tifozët e zjarrtë të Hajdukut.
Në të njëjtën mënyrë festojnë edhe lojtarë të Premier Leagues, Bundesligës dhe La Ligas, por nuk jepet kartonë për ta.
Megjithatë, Rijeka të mërkurën ka postuar një video të festës së tij, nga një kënd tjetër që tregon arsyen e ndëshkimit me karton të verdhë nga gjyqtari i ndeshjes, shkruan mediumi kroat.
“Në video dëgjohet kameramani i Rijekës duke e thirrur Selahin, i cili kthehet tek ai dhe feston në stilin e ‘djaloshit të relaksuar’. Por në të njëjtën video shihet se si Selahi e bën shqiponjën me duar, para asaj feste. Kjo mund të jetë arsyeja e ndëshkimit të tij si provokim ndaj tifozëve kundërshtarë”, shkruan “24sata.hr”.
Rijeka dhe Hajduku udhëheqin në kampionatin kroat me nga 33 pikë, ndërsa Dinamo Zagrebi është i treti me 26 pikë, aq sa ka edhe Varazhdini.