Futboll

Shqipëria shkëlqen në nisje të Ligës së Kombeve

Shqiperia

Foto: Associated Press

Sylvinho: Fituam pas shumë kohësh, jemi të lumtur

7 muaj më parë / 7 sht 2024 23:25
Sylvinho

Selektori Sylvinho ka thënë se kjo fitore është shumë e rëndësishme, që vjen pas një kohe shumë të gjatë në ndeshje zyrtare. 

Shqipëria fitoren e fundit në ndeshje zyrtare e kishte shënuar ndaj Republikës së Çekisë 3:0, në kualifikimet për “Euro 2024”. Ajo ndeshje ishte zhvilluar më 12 tetor të vitit të kaluar në “Air Albania” në Tiranë. 

“Është fitore shumë e merituar. Kemi bërë mirë. Është fitorja e parë pas shumë kohësh në ndeshje zyrtare, pas fitores ndaj Republikës së Çekisë. Luajtëm shumë mirë dhe jemi të lumtur. Edhe kundërshtarët e ardhshëm do të jenë të vështirë. Ishte fitore e rëndësishme, pasi është shumë vështirë të fitosh pasi të pranosh gol. Luajtëm mirë taktikisht dhe jemi vendosur mirë. Kemi bërë ndeshje të fortë”, ka thënë pas ndeshjes Sylvinho.

“Kemi vetëm dy ditë, dy ndeshje afër njëra-tjetrës. Kemi stërvitje nesër. Do të kemi edhe mbledhje dhe të shohim gjendjen fizike të lojtarëve. Ka qenë ndeshje e lodhshme taktikisht. Do të duhet kohë dhe të shohim çfarë ndryshimesh do të bëjmë për duelin e ardhshëm”, theksoi Sylvinho.

Ismajli e Asllani, të lumtur me fitoren

7 muaj më parë / 7 sht 2024 23:21
shqiperia

Qendërmbrojtësi Ardian Ismajli dhe mesfushori Kristjan Asllani, thanë pas ndeshjes se kanë pritur ndeshje të fortë, por janë të lumtur me fitoren.  

“Me një taktikë të jashtëzakonshme dhe me grupin që e ndihmoi njëri-tjetrin si dhe me mbështetjen e tifozëve, ia dolëm mbarë. Ishte fitore e veçantë sepse ishte fitorja e parë ndaj Ukrainës”, tha fillimisht Ismajli, i cili nuk luajti në “Euro 2024”, ndonëse ishte i ftuar. Por ai tha se nuk ka asnjë problem me përzgjedhësin brazilian, dhe theksoi se është profesionist. Shtoi se çdo situatë e merr me sportivitet. 
“Jam profesionist dhe do të vazhdoj ta jap më të mirën. Ato ishin zgjedhjet e trajnerit, tani shikojmë kah e ardhmja. Besoj e rëndësishme është të dilnim me tri pikë nga ky udhëtim i vështirë. Tani të martën do të shohim për ndeshjen e ardhshme ndaj Gjeorgjisë që bëri ndeshje të madhe ndaj Republikës së Çekisë”, shtoi ai.

Edhe Kristjan Asllani u shpreh i lumtur me fitoren ndaj Ukrainës.

“Ishte fitore e madhe jashtë shtëpisë, ndaj një skuadre që luan futboll të mirë. Ata mbajtën topin kurse ne u mbrojtëm. Fituam dhe jemi të lumtur. Tani kemi ndeshje tjetër. Kjo fitore na ndihmon shumë sepse ishte ndeshja e parë, dhe kur e fillon mirë, je një hap para. Fitorja na duhej dhe jemi të lumtur”, deklaroi mesfushori i Interit.

Shqipëria shkëlqen në nisje të Ligës së Kombeve

7 muaj më parë / 7 sht 2024 22:44
Shqiperia

Photo: Associated Press

Shqipëria kishte shumë mungesa para ndeshjes së parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Por, edhe pse pa kapitenin Berat Gjimshiti e sulmuesin Armando Broja, Shqipëria ka shkëlqyer të shtunën mbrëma në Pragë të Republikës së Çekisë, kur e mposhti në udhëtim Ukrainën.

“Kuqezinjtë” e drejtuar nga selektori brazilian Sylvinho, fituan me rezultatin 2:1, me rikthim të rezultatit. 

Yukhym Konoplya katër minuta pas pushimit shënoi për ukrainasit, por golat nga qendërmbrojtësi Ardian Ismajli në minutën e 54-t dhe Jasir Asanit në minutën e 66-të, ia siguruan pikët e plota Shqipërisë. Shqipëria dhe Gjeorgjia që më herët fitoi 4:1 ndaj Republikës së Çekisë, i prinë Grupit 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve me nga tri pikë. Pikërisht me Gjeorgjinë në Tiranë, Shqipëria do të përballet më 10 shtator në stadiumin “Air Albania”.  

Shqipëria që në Evropianin 2024 në Gjermani pati paraqitje të mirë, ndonëse nuk e kaloi fazën grupore ku ishin edhe Spanja, Italia dhe Kroacia, fitoi ndaj Ukrainës në tentimin e shtatë në ndeshjet e ndërsjella. Ndeshja u zhvillua në Pragë për shkak të luftës në Ukrainë. 

Në pjesën e parë, Shqipëria rrezikoi disa herë me Qazim Laçin e Rey Manajn, por gola nuk pati. 

Shqipëria u zu në befasi me golin që e shënoi mbrojtësi i krahut të djathtë Konoplya, i cili edhe e shfrytëzoi reagimin jo të mirë të portierit Thomas Strakosha. 

Por më pas Ismajli dhe Asani shënuan gola me gjuajtje të sakta nga zona për pikët e plota që në fillim të kampanjës së re të Ligës së Kombeve.

Asaniiiiiiiii

7 muaj më parë / 7 sht 2024 22:15
Shqiperia

Photo: Associated Press

Jasir Asani e ka kaluar Shqipërinë në epërsi. Ai shënoi në minutën e 66-të për 2:1.

Goli i Asanit erdhi pas një aksioni të bukur. Asistimin e bëri Rey Manaj. 

Ismajliiiii

7 muaj më parë / 7 sht 2024 22:03
Ismajli

Qendërmbrojtësi Ardian Ismajli ka shënuar për golin e barazimit 1:1. 

Ismajli në minutën e 54-t u gjend më së miri në zonë dhe realizoi nga afërsia pas goditjes nga këndi. 
Goditja e këndit u fitua nga gjuajtja e fuqishme e Rey Manajt. 

Më pas erdhi goli i barazimit.

Ukraina në epërsi

7 muaj më parë / 7 sht 2024 22:01
Ukraina

Ukraina ka kaluar në epërsi ndaj Shqipërisë. 

Mbrojtësi i krahut të djathtë që luan te Shakhtari, Yukhym Konoplya, shënoi me gjuajtje të fuqishme nga zona. 

Ai realizoi në minutën e 49-të, falë edhe reagimit jo të mirë të portierit Thomas Strakosha.

Shqipëria rrezikon më shumë, por s’ka gola në pjesën e parë

7 muaj më parë / 7 sht 2024 21:39
shqiperia

Shqipëria ka pasur rastet më të mira për gol në pjesën e parë të ndeshjes me Ukrainën. Por pavarësisht disa rasteve të mira, goli nuk ka ardhur për kuqezinjtë.

Pjesa e parë u mbyll pa gola. Ukraina rastet më të mira i pati në fund të 45-minutëshit.

Laçi rrezikon Ukrainën

7 muaj më parë / 7 sht 2024 21:33
Jasir ASani

Qazim Laçi i është afruar golit në minutën e 40-të. Ai gjuajti nga afërsia pas harkimit të Jasir Asanit.

Topi përfundoi fare afër shtyllës. 
 

As Asani nuk shënon

7 muaj më parë / 7 sht 2024 21:25
Shqiperia

Jasir Asani pranoi top të mirë në shtyllën e dytë nga Nedim Bajrami në minutën e 31-të. 

Por Asani vendosi të mos gjuajë direkt në portë me kokë, duke kërkuar bashkëlojtar të lirë në zonë. Edhe ky rast i mirë nuk u shfrytëzua nga “kuqezinjtë”.
 

Sërish rast i mirë për Shqipërinë

7 muaj më parë / 7 sht 2024 21:13
Kristjan Asllani

Shqipëria edhe në minutën e 21-të ka dalë në mundësi të mirë shënimi. 

Por harkimit të Kristjan Asllanit nga krahu i majtë nuk iu përgjigjën Qazim Laçi e Rey Manaj.
 

Shqipëria me mundësinë e parë

7 muaj më parë / 7 sht 2024 21:02
Shqiperia

Shqipëria e pati mundësinë e parë serioze për të shënuar ndaj Ukrainës në Pragë. 

Ne minutën e nëntë, Mario Mitaj shmangu tre futbollistë dhe pasoi për Qazim Laçin, që me të majtën gjuajti jashtë nga zona.


Publikohen formacionet zyrtare

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka kthyer në formacionin titullar qendërmbrojtësit Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli, në mungesë të kapitenit Berat Gjimshiti.

Në krah do të luajnë Mario Mitaj dhe Elseid Hysaj që në këtë ndeshje është kapiten.

Para mbrojtjes do të luajnë Ylber Ramadani dhe Kristjan Asllani.

Qazim Laçi, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani do ta ndihmojnë Rey Manajn që i prinë sulmit.

Ndërkohë në portë, Sylvinho ka vendosur për Thomas Strakoshën.

Ndeshja që nis në orën 20:45, i takon Grupit 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve dhe zhvillohet në stadiumin “Epet Arena” të Pragës, në Republikën e Çekisë.

Kjo ndeshje është vendosur të luhet në këtë arenë për shkak të luftës në Ukrainë.