Futboll

Shqipëria e kompletuar vazhdon përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë

Shqipëria e kompletuar vazhdon përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se Kombëtarja e Shqipërisë ka vazhduar e kompletuar përgatitjet për ndeshjen kundër Çekisë. 

Ndeshja Shqipëri–Çeki zhvillohet të shtunën nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. I takon Grupit B1 të Ligës së Kombeve. 

Përballja kundër çekëve vlerësohet vendimtare për ekipin kuqezi të drejtuar nga braziliani, Sylvinho. Çekia është e para me shtatë pikë, kurse nga gjashtë pikë kanë Shqipëria dhe Gjeorgjia. “Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit të grupit B1 në UEFA Nations League ndaj Çekisë dhe Ukrainës. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm të gjithë lojtarët, ndërsa Ernest Muçi u stërvit fillimisht i veçuar dhe më pas u bashkua me grupin. Seanca e sotme nisi me stërvitje në palestër e më pas trajneri, stafi teknik dhe ekipi zbritën në fushë për të bërë përgatitje atletike dhe taktike. Kombëtarja do të mbyllë nesër përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Çekisë”, shkruan FSHF-ja.

Stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Çekisë, Shqipëria e zhvillon të premten nga ora 18:30. Përzgjedhësi Sylvinho do të paraqitet në konferencë nga ora 17:45.

Ndërkohë te Çekia e kanë vlerësuar të vështirë përballjen ndaj Shqipërisë.

Futbollisti i krahut të majtë, Lukas Provod, ka kujtuar humbjen që Çekia e pati pësuar 3:0 nga Shqipëria në Tiranë. Ai veçoi atmosferën e zjarrtë në “Air Albania”.

“Definitivisht nuk duhet të marrim karton të kuq. Më kujtohet kur shkuam atje dhe nuk e shijuam ndeshjen, ishte më shumë e fokusuar në vrapim. Është një ambient specifik, do të ketë një atmosferë të stuhishme. Por ne jemi gati, skuadra është gati. Ne e dimë si duhet të luajmë. Do të kemi në mendje ndeshjen e parë në Letna, që e menaxhuam në mënyrë perfekte, dhe do mundohemi ta bëjmë të njëjtën gjë. Nëse kemi të njëjtën performancë si në Letna, nuk kemi për çfarë të kemi frikë”, ka thënë Provod.

Shqipëria ndeshjen e fundit e luan po ashtu në Tiranë kundër Ukrainës, që zë vendin e fundit në grup me katër pikë.