Te Kombëtarja e Shqipërisë shpresojnë në dy gjëra për të martën mbrëma. Të fitojnë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë ndaj Ukrainës dhe që ndeshja tjetër e Grupit B1 të Ligës së Kombeve të UEFA-s në mes të Çekisë dhe Gjeorgjisë të mbyllet baras.
Ndeshjet Shqipëri – Ukrainë dhe Çeki – Gjeorgji luhen nga ora 20:45.
Çekia është e para me tetë pikë, kurse nga një pikë më pak kanë Gjeorgjia dhe Shqipëria. Ukraina është e katërta me pesë pikë. Me skenarin e dëshiruar, Shqipëria fiton grupin dhe del në Ligën A.
Fituesi i Grupit B1 do të paraqitet edicionin e ardhshëm në Ligën A të Ligës së Kombeve.
“E dimë që është më vështirë, nuk varet nga ne, varet nga ndeshja tjetër. Por ne nesër do të futemi për fitore, rrugë tjetër nuk ka. Uroj të kemi fat që ndeshja tjetër të përfundoj baras dhe ne të fitojmë për ta siguruar vendin e parë”, ka thënë të hënën pasdite mbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismajli në konferencë për media.
Në mungesë të Berat Gjimshitit, Ismajli do të jetë kapiten edhe ndaj ukrainasve. Ismajli pret ndihmën e publikut për ta mposhtur Ukrainën. Ai beson se do të jetë atmosferë të zjarrtë të martën në stadiumin “Air Albania”.
“Publiku i zjarrtë na ndihmon shumë. Secila skuadër që ka ardhur ka hasur në vështirësi kur është përballur me ne. Ne do të futemi në lojë për ta kryer punën tonë, për ta fituar ndeshjen dhe për të shpresuar në rezultat të favorshëm në ndeshjen tjetër dhe të sigurojmë të paktën edhe plejofin”, është shprehur Ismajli.
Ai shënoi gol ndaj Ukrainës në ndeshjen e parë të cilën Shqipëria e fitoi 2:1. Ismajli shpreson ta ndihmojë sërish kombëtaren kuqezi për fitoren e radhës.
“E imja është të ndali kundërshtarët, por po pata mundësi do të shënoj. Uroj t’i kemi sulmuesit në formë të japin gola dhe ta fitojmë ndeshjen”, ka theksuar mbrojtësi i Empolit.
Edhe përzgjedhësi i Shqipërisë, braziliani Sylvinho, thotë se do të futen në fushë për ta fituar ndeshjen ndaj Ukrainës.
“Mendoj se është grupi i vetëm ku gjithçka është e hapur edhe pse është ndeshja e fundit. Të katër ekipe kanë luajtur në Evropian. Është një ekip i fortë dhe ka cilësi individuale të larta. Me gjithë respektin për Ukrainën, por ne kemi përgatitur ndeshjen për ta fituar. Mund të ndodhë gjithçka, kemi përparësi që luajmë para shikuesve. Kemi publikun që na mbështet dhe do të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen. Mund të ndodhë gjithçka. Janë dy opsione, Çekia të dalë nga grupi dhe Ukraina të dalë në vendin e parë. Ne do të luajmë për vendin e parë. Do të futemi në fushë për të fituar. Kemi publikun pas nesh që do të jetë ndihmë e madhe. Nuk hyhet në fushë me frikë, por për të luftuar dhe për të fituar”, është shprehur Sylvinho.
Sylvinho insiston se gjithçka është e hapur në grup. Por ai ka bindjen se lojtarët do ta kryejnë punën e tyre në fushë të martën.
“Gjithçka është e hapur në këtë grup. Kam parë ndeshjen në mes të Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Katër ekipet kanë luajtur në Evropian. Kanë lojtarë të mirë, trajnerë të mirë, por ne do të tentojmë të fitojmë. E respektojmë Ukrainën, por kjo është ndeshja e fundit dhe teknikisht mund të përfundojmë të parët. Do ta japim maksimumin për ta fituar ndeshjen”, ka shtuar Sylvinho.
Ai ka theksuar se ndeshja ndaj Ukrainës është finale për Shqipërinë. Ka folur po ashtu edhe për mundësinë e paraqitjes së Jasir Asanit të martën. Për shkak të lëndimit, Asani u zëvendësua në barazimin pa gola ndaj Çekisë të shtunën.
Shqipëria nuk e ka fituar asnjërën prej tri ndeshjeve të fundit në Tiranë. Por Sylvinho shpreson që të martën ekipi tij të dalë fitues nga “Air Albania”.
“Ndeshja e dytë është gjithmonë më e vështirë, pasi ka më pak ditë për t’u përgatitur dhe për t’u rikuperuar lojtarët. Kemi edhe një stërvitje dhe nesër po ashtu një stërvitje të lehtë, por do të flas me lojtarët. Do të shohim edhe sa i përket gjendjes së Asanit. Nëse Asani më thotë se do të jetë i gatshëm, do të vendosim nëse mund të paraqitet nga minuta e parë. Do të diskutojmë me lojtarin, mjekun dhe do të vendosim në fund. Ne kemi krijuar më pak mundësi, jemi mbrojtur dhe nuk kemi shënuar. Do të mundohemi të gabojmë sa më pak në fushë dhe duke bërë pasimet e mira mund të ndërtojmë aksione për gol”, ka thënë Sylvinho.
Vendi i parë në grup siguron kualifikimin në Ligën A, ndërsa vendi i dytë plejofin Vendi i tretë do të paraqitet në plejofin për mbetje në Ligën B.