Albion Rrahmani ishte ftuar t’i bashkohej Kombëtares së Shqipërisë. Por Sulmuesi i Rapid Bukureshtit vendosi të mbetet pjesë e Kosovës. Kështu ka thënë babai i Albionit, Driton Rrahmani.
Dritoni që më herët ka luajtur si mesfushor për disa skuadra në Kosovë, ishte i ftuar të dielën në emisionin “Sporti Total” të KTV-së.
“Albioni e ka zgjedhur vetëm Kosovës dhe nuk ka dashur të hyj në bisedime. Ka pasur diçka por nuk ka dashur të dëgjoj. Para një viti ka qenë. Por ai ka dashur të luajë për Kosovën. Edhe ne familjarët, sepse ne jemi nga Kosova. Dëshira e tij ka qenë e flaktë për të luajtur për Kosovën. Ai po luan tashmë për Kosovën dhe shpresojmë nga shtatori ti ketë rezultatet pozitive duke uruar ta kemi në Botëror apo Evropian”, ka thënë Driton Rrahmani.
Ai ka zbuluar se e ardhmja e djalit të tij është larg Rumanisë. Ka thënë se Rapid Bukureshti ka marrë ofertë konkrete nga Slavia e Pragës.
“Ka konkrete diçka, por Rapidi po kërkon diçka ndoshta edhe më tepër ta shesë me çmim rekord. Por ta shohim se a do të arrihet marrëveshje në mes klubeve. E ka ofertën konkrete nga Slavia. Do të shohim në ditët në vijim. Albioni do të shkoj në stërvitje ku edhe do të shqyrtohet oferta e Slavias dhe skuadrave tjera që kanë bërë ofertë për Albionin”, është shprehur Rrahmani.
Sulmuesi 23-vjeçar për Kosovën ka luajtur katër ndeshje, ndërsa pjesë e Rapidit është nga gushti i vitit të kaluar. Ai te skuadra elitare e Rumanisë kaloi nga Ballkani për 600 mijë euro. Tani në treg, Rrahmani vlerësohet 3.5 milionë euro. Edicionin e kaluar në 30 ndeshje, Rrahmani shënoi 19 gola dhe kontribuoi me pesë asistime.