Arsenali e ka të sigurt kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi shënoi fitoren më të thellë ndonjëherë në ndeshjet në udhëtim, në fazën eliminatore të garës elitare kontinentale. Ekipi londinez e mposhti PSV-në në Eindhoven me rezultatin 7:1, të martën.
“Topçinjtë” ishin të pamëshirshëm në ndeshjen e parë të një të tetës së finales. Arritën fitore të mahnitshme, ndonëse i kishin të lënduar sulmuesit kryesorë, duke përfshirë Bukayo Sakan, Kai Havertzin, Gabriel Martinellin e Gabriel Jesusin.
“Loja jonë ishte shumë e rrjedhshme. Kishim entuziazëm, dëshirë dhe uri”, tha mesfushori i Arsenalit, Declan Rice. “Por ne kemi luajtur kështu gjatë gjithë edicionit. Duhet të vazhdojmë të ecim para si ekip me mentalitet”.
Pasi Jurrien Timber (23) e shënoi golin e parë në minutën e 18-të, Arsenali u bë i frikshëm.
Adoleshenti Ethan Nwaneri (17) dyfishoi rezultatin në minutën e 21-të me asistim të Myles Lewis-Skelly (18). Arsenali njoftoi se për herë të parë dy lojtarët vendorë kanë kombinuar për të shënuar për ekipin e parë dhe se ishte hera e parë që dy adoleshentë anglezë kishin kombinuar për gol në Ligën e Kampionëve.
“Ai është 17-vjeçar dhe luan në skenën më të madhe të futbollit”, ka thënë Rice për Nwanerin. “Është e çmendur. E shohim çdo ditë në stërvitje. Ai dhe Myles e meritojnë të luajnë. Është impresionuese mënyra se si ushtrojnë, se si nuk kanë frikë, si duan të shfaqen dhe të performojnë. Ishte brilante paraqitja e tyre”.
Mikel Merino shënoi për 3:0, ndërsa ai luajti sërish në sulm për shkak të mungesave. Në pjesën e dytë kapiteni Martin Odegaard shënoi dy gola, ndërsa Leandro Trossard dhe Riccardo Calafiori shtuan nga një për fitoren bindëse.
“Është rezultat i madh në udhëtim, në një garë që e duam dhe që na mungoi për shumë vjet. Është vërtet natë e veçantë për ne. E kam shijuar ndeshjen, kështu që i falënderoj lojtarët për paraqitjen. Ishte e veçantë mënyra se si kemi luajtur dhe si i kemi shënuar golat. Ishte paraqitje impresive dhe një rezultat i pabesueshëm”, ka thënë Mikel Arteta, trajner i Arsenalit.
Ai ka thënë se u ka kërkuar lojtarëve të marrin iniciativë.
“Kur je në këto nivele , duhet të luani dhe ta doni lojën. Kishim mbrojtësin Myles që bëri krosimin për lojtarin në krahun tjetër për të shënuar gol. E kishim Jurrien Timberin që shënoi me kokë si mbrojtës i qendrës. E kishim Calafiorin që bëri vrapim si numër 9 dhe shënoi me këmbën e djathtë. Për këtë flasim ne, për rrjedhshmëri në lojë, kurajë dhe për të luajtur në mënyrën që duam të luajmë ne”, ka shtuar Arteta.
Ndeshja e kthimit është në “Emirates” të mërkurën e javës së ardhshme. Por londinezët mund të bëhen gati për çerekfinale tashmë.