Skënderbeu i Korçës nuk mund të krenohet me rezultatet e edicionit aktual në elitën e futbollit të Shqipërisë. Tetë herë kampionia e Shqipërisë është në pozitën e fundit në tabelë.
Por korçarët e kanë të paktën një lojtar me të cilin mund të krenohen.
Fjala është për Ermir Rashicën, i cili në fund të janarit u shpall talenti i vitit në Shqipëri nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Rashica 20-vjeçar, që vlerësohet “xhevahir” i “Skënderbeut”, është shquar me paraqitje të mira gjatë gjithë vitit të kaluar.
Sulmuesi është i lumtur me formën individuale.
“Ndihem i lumtur me formën që po kaloj tek ekipi i Skënderbeut. Falënderoj të gjithë në klub për besimin”, tha Rashica për KOHËN, të mërkurën.
Ai është i lumtur për vlerësimin që iu bë. Thotë se i është shpërblyer puna që ka bërë gjatë vitit të kaluar. Rashica ishte edhe njëri prej tre kandidatëve për futbollist të vitit 2024 dhe po ashtu u përzgjodh në njëmbëdhjetëshen më të mirë.
“E kam pritur vlerësimin, sepse e kam ditur se me punë mund të arrihet gjithçka që synohet. Unë jam sulmues dhe sigurisht se nga unë kërkohen golat. Edhe synimi im është të shënoj sa më shumë gola dhe të arrij të luaj sa më lart”, ka vazhduar Rashica.
Ai është krenar me arritjet personale. Por thotë se pa ndihmën e shokëve të skuadrës, do të ishte e pamundur.
“Më bën të ndihem krenar ky çmim, sepse nuk është e lehtë ta fitosh. Por më kanë ndihmuar edhe shokët e skuadrës të bëj paraqitje sa më të mira. Kam besimin e stafit të trajnerëve dhe unë nuk do të ndalem duke punuar deri në arritjen e qëllimeve të mira”, është shprehur sulmuesi i talentuar.
Qartë që Rashicën e pret një e ardhme e ndritur larg Shqipërisë. Ai nuk preferon të flasë për të ardhmen. Por nëse vazhdon me formë të mirë, Rashica më së largu në verë, do ta bëjë hapin tjetër të rëndësishëm në karrierë. Ai tashmë ka disa oferta nga klube të Suedisë, Ukrainës e po ashtu edhe nga klube të shteteve të ndryshme evropiane.
20-vjeçari u transferua te skuadra nga Korça në vitin 2023 nga Trepça ’89. Hovin e madh në karrierë e mori te ekipi mitrovicas.
Në edicionin aktual, Rashica ka shënuar nëntë gola dhe ka kontribuuar me dy asistime në 23 ndeshje.
Ish-sulmuesi i Shqipërisë, Bekim Balaj, i prin listës së golashënuesve në kampionatin shqiptar me 14 gola.
Rrugën e Balajt për t’u paraqitur me fanellën e Kombëtares shqiptare po e ndjek me hapa të sigurt edhe Rashica.
Ai është prej lojtarëve të rëndësishëm te Shpresat e Shqipërisë. Para se t’i bashkohej ekipit të 21-vjeçarëve të Shqipërisë, Rashica luajti gjashtë ndeshje për Kosovën U19. Për Shqipërinë U21 ka shënuar dy gola në tetë ndeshje.
Ai pret të ftohet në një të ardhme të afërt edhe nga Kombëtarja A e Shqipërisë.
“Besoj shumë që një ditë do të luaj për Kombëtaren A”, ka thënë Rashica.
Rashica hapat e parë i bëri te shkolla e futbollit “El Clasico” nga Vushtrria, kurse më pas me sukses luajti edhe për skuadrën nga Mitrovica, Trepça ’89.
Përveç Kosovës U19, ai ka qenë pjesë e grupmoshës U17 të “Dardanëve”.