Orges Shehi është emër shumë i njohur në futbollin e Shqipërisë. Ka bërë karrierë të suksesshme si portier e më pas si trajner. Prej të premtes, 47-vjeçari nga Durrësi është pjesë e futbollit të Kosovës. Ai mori drejtimin e kampionit në fuqi, Ballkanit.
Emër i madh i futbollit në Shqipëri ishte dhe është Ilir Daja. Daja tashmë është ish-trajner i Ballkanit. E ka udhëhequr këtë skuadër drejt tre titujve të kampionit të Kosovës dhe në dy kampanjat e suksesshme në Ligën e Konferencës.
Daja ka vendosur standard të lartë te Ballkani. Për këtë është i vetëdijshëm edhe Shehi. Ai e zëvendëson në postin e trajnerit të Ballkanit, Artim Pollozhani. Ai dha dorëheqje të mërkurën pas eliminimit të ekipit suharekas nga gara për Kupë. Pollozhani erdhi në vend të Dajës, që dha dorëheqje në fillim të shtatorit.
“Unë kam besim që do të kthehemi te sukseset. Daja ka bërë punë të jashtëzakonshme. Meriton shumë komplimente. Na ka shtuar përgjegjësinë me arritjet që ka bërë”, ka thënë Orges Shehi të premten mbrëma për KOHËN.
Ai tashmë është njoftuar me skuadrën e Ballkanit. Stërvitjen e parë e kishte të premten.
“E vlerësova shumë ofertën e një klubi si Ballkani, për vetë historinë dhe ambiciet që ka. Në futboll ka vështirësi, jo gjithmonë shkon çdo gjë mirë. Jemi të vetëdijshëm që na pret punë e madhe. Nga ajo që pash në stërvitje sot mund të them se te djemtë ka dëshirë dhe përqendrim. Kjo është shumë e rëndësishme”, ka shtuar Shehi.
Ai së fundi e drejtoi Partizanin e Tiranës. Klubi tiranas e shkarkoi në fillim të muajit gusht. Në 27 ndeshje në krye të Partizanit, Shehi kishte 13 fitore, gjashtë barazime e tetë humbje. Më herët udhëhoqi edhe Tiranën, Kukësin e Skënderbeun. Me Tiranën e fitoi titullin e kampionit në edicionin 2021/2022. Ka fituar edhe dy Superkupa, me Skënderbeun dhe Tiranën.
Për kohë të gjatë ishte portier i Teutës së Durrësit, nga viti 1994 deri në vitin 2004. Ishte edhe te Bylisi, Vllaznia, Partizani dhe Besa, ndërsa prej edicionit 2010/2011 e deri në fund të karrierës, në vitin 2018, ishte pjesë e Skënderbeut të Korçës. Pra luajti për Skënderbeun në periudhën më të lavdishme të këtij klubi. Me Skënderbeun ka fituar vazhdimisht titullin e kampionit. Ka edhe disa trofe të Kupës së Shqipërisë.
Tani do të testohet për herë të parë në futbollin e Kosovës.
“Kam njohuri për futbollin e Kosovës. Por kam kërkuar edhe ndihmën e miqve të mi që janë pjesë e futbollit këtu në Kosovë”, ka thënë tekniku durrsak.
Shehi te Ballkani erdhi me staf të kompletuar. Ai debuton të dielën në Ferizaj.