Futboll

Sharri, klubi i dy nënkampioneve evropiane

Sharri

Të dielën në Bielsko-Biala të Polonisë u zhvilluan luftërat finale të Kampionatit Evropian të karatesë për grupmosha të reja, përkatësisht për karateistët kadetë, juniorë dhe të grupmoshës U21. 
Në ditën e finaleve, Kosova i pati dy karateiste. Dhe që të dyja të klubit Sharri nga Ferizaj.

Në mëngjes Lijana Iseni u paraqit në finale të kadeteve, në kategorinë deri 61 kilogramë. Pasdite në finale të kategorisë deri 68 kilogramë, në grupmoshën U21, u paraqit Behije Mustafa. Të dyja u mposhtën, por u kthyen me medalje të argjendta që është sukses i madh për karatenë kosovare. Rrjedhimisht edhe për klubin ferizajas, Sharri.

“Dy medaljet e argjendta janë dëshmi e përkushtimit dhe punës së palodhshme të sportistëve tanë dhe ekipit të trajnerëve. Ne jemi gjithmonë të fokusuar në zhvillimin teknik, disiplinën dhe shpirtin garues të nxënësve tanë. Suksese të tilla na motivojnë të punojmë edhe më fort për rezultate edhe më të mira në të ardhmen”, ka thënë trajneri Qëndrim Shaqiri, të hënën për KOHËN.

Talentja e madhe e karatesë, Lijana Iseni, garoi fillimisht të premten dhe me katër fitore siguroi finalen e së dielës. Në finale bëri përpjekje, por fitorja nuk ishte afër. Behije Mustafa garoi të shtunën. Po ashtu i kishte katër fitore, njërën prej tyre ndaj një garuese të Serbisë. 

Në finale Behija zhvilloi luftë plotësisht të barabartë, e ndoshta edhe më të mirë se kundërshtarja. Por vendosi një detaj, përkatësisht një element taktik. Pas rezultatit 4:4, fituesja u shpall me deklarim të gjyqtarëve. Kosovarja kishte një përparësi pasi kishte fituar pikën e parë në luftë. Por mori dënim në 15 sekondat e fundit, për dalje nga arena, dhe kjo e penalizoi. Gjyqtarët e shpallën fituese karateisten gjermane, Hannah Riedel.

Për klubin Sharri janë dy medaljet e para evropiane. Por medalje që shpresohet se do të shërbejnë si motivim për punë edhe më të madhe e për suksese edhe më të mëdha.

Sharri ka dominuar garat vendore së fundi dhe nivelin që e ka arritur e dëshmoi në Evropianin e të rinjve në Poloni.

“Klubin tonë e karakterizojnë përkushtimi ndaj zhvillimit të sportistëve, fryma ekipore dhe edukimi përtej garave. Për ne karateja nuk është vetëm çështje titujsh, por edhe ndërtim i disiplinës, respektit dhe shpirtit sportiv të secilit nxënës. Përveç dominimit në gara, ne i kushtojmë rëndësi kultivimit të vlerave njerëzve dhe krijimit të një mjedisi ku çdo sportist ndihet i vlerësuar dhe i motivuar për të dhënë më të mirën”, ka shtuar trajneri ferizajas, që tashmë është trajner i dy nënkampioneve evropiane për të reja.

Qëndrim Shaqiri pret edhe shumë suksese nga Lijana e Behija. Thotë se të dyja kanë potencial shumë të madh.

“Ato kanë treguar jo vetëm talent, por edhe disiplinë, përkushtim dhe guxim në gara. Me punë të vazhdueshme dhe mbështetje të duhur, ato kanë mundësi të arrijnë suksese të mëdha në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Këto medalje janë vetëm fillimi i një rruge të gjatë e të suksesshme në karrierën e tyre sportive”, ka shtuar Shaqiri.

Ai veçon fitoret në gjysmëfinale. Lijana fitoi 6:0 ndaj një garuese sllovene, ndërsa Behija 10:3 ndaj një karateisteje turke. Turqia njihet si superfuqi e karatesë.

Medalje të bronztë në Evropian fitoi Aid Curri, të premten. Edhe suksesi i tij vlerësohet i madh për karatenë kosovare.

Megjithatë, ishin karateistet e Sharrit që iu afruan shkallës më të lartë të podiumit, sidomos Behije Mustafa. 

Gara të tjera do të ketë për dy karateistet dhe mundësi të tjera për të bërë të mundur intonimin e himnit të Kosovës. Por që të dyja duhet të vazhdojnë me punë të madhe te Sharri.

“Klubi ynë synon të realizojë me përkushtim dhe efikasitet të gjitha planet dhe strategjitë e hartuara nga kryetrajneri ynë, Shemsi Shaqiri. Me një eksperiencë të pasur dhe vizion të qartë për zhvillimin e sportit të karatesë, ai ka vendosur objektiva të rëndësishme që do të kontribuojnë në ngritjen profesionale të sportistëve tanë. Si trajner, bashkë me trajnerët tjerë, jemi të angazhuar maksimalisht për të siguruar që planet të zbatohen në mënyrë efikase dhe të japim rezultate konkrete”, ka theksuar Qëndrim Shaqiri.