Futboll

Shaqiri po e gjen formën më të mirë te Baseli, po bën punë të shkëlqyer

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri po e gjen formën më të mirë te Baseli. Në fitoren 2:1 ndaj St. Gallenit, të dielën, lojtari i kthyer javë më parë luajti për 90 minuta. Deri në fund është paraqitur vetëm në ndeshjen e dytë këtë edicion.

I pyetur nga “bluewin.ch” për këtë fakt, Shaqiri është përgjigjur i buzëqeshur.

“Po lëvizi shumë më mirë, ndeshje pas ndeshjeje”, ka thënë ylli i futbollit të Zvicrës.

Ai po ndihet mirë dhe shpreson të shënojë sa më shpejt të jetë e mundur.

33-vjeçari është i lumtur që trajneri Fabio Celestini i jep shumë liri në fazën e sulmit.

“Kjo është mënyra më e mirë për mua që ta ndihmoj ekipin”, thotë ish-reprezentuesi i Zvicrës.
Celestini e di se liria në fushë për Shaqirin do të thotë shumë.

“Nuk duhet t’i jepni Shaqirit instruksione që ai ta dijë se ku duhet të shkojë. Kemi plan të qartë për Shaqirin, por  ai mund të lëvizë lirshëm duke iu përmbajtur atij plani”, ka thënë trajneri i Baselit.

Ka pasur dyshime nëse Shaqiri do të ketë ndikim pozitiv në lojën e Baselit. Por trajneri, Celestini, është shumë i lumtur me paraqitjet e kosovarit.

“Po e shoh Shaqirin gjithnjë e më të mirë, për çdo ditë të kaluar. Jam absolutisht i kënaqur me të”, ka shtuar Celestini.

Sipas tij, “çdo top i goditur nga Shaqiri ka kuptim. Secila pozitë në të cilën vrapon ai, ka kuptim”.

Trajneri i Baselit ka vazhduar lavdet duke thënë se Shaqiri nuk e humb asnjëherë topin dhe se ka shumë përvojë e kualitet.

“Shaqiri po bën punë të shkëlqyer”, thotë Celestini.

Baseli po paraqitet mirë në përgjithësi. Pas dhjetë xhirosh është në vendin e pestë me 16 pikë. Në edicionin e kaluar në këtë fazë të kampionatit i kishte vetëm tetë pikë.

Shaqiri është kthyer te Baseli pas karrierës impresive. Ndër të tjera ishte edhe te Bayerni, Interi e Liverpooli. Është i vetmi lojtar që ka shënuar gola në gjashtë ngjarjet e fundit të mëdha, në tri kampionate botërore e tri kampionate evropiane. Golat e tij ishin secili më i mirë se tjetri. Tani të gjithë e presin një supergol nga Shaqiri në Superligën e Zvicrës.