Xherdan Shaqiri më në fund ka shkëlqyer te Baseli. Pas disa ndeshjeve jo shumë të mira, ai të dielën e udhëhoqi Baselin drejt fitores 1:0 ndaj kampionit në fuqi të Zvicrës, Young Boysit. Shaqiri bëri asistimin në golin e vetëm, duke krosuar në mënyrë të përkryer nga një goditje dënimi.
Mediat zvicerane kanë shkruar se kjo ishte paraqitja më e mirë e Shaqirit pas kthimit te skuadra e Baselit. Gazeta “20 Minuten” e ka cilësuar asistimin e Shaqirity si “top magjik”.
“Mendoj se njerëzit i dinë kualitetet e mia. Mendoj se gjithnjë kam treguar se goditjet e dënimit i kam të mira. Jam i lumtur që më në fund kemi shënuar gol pas një goditje dënimi”, ka thënë Shaqiri.
Lojtari ofansiv më pas ka thënë një premtim.
“Nuk e kemi parë ende Shaqirin më të mirë. Ka hapësirë për përmirësim, dua të kontribuoj më shumë për ekipin. Por ndeshje pas ndeshjeje po e kuptojmë njëri-tjetrin më mirë dhe kjo po bën që të synojmë më shumë”.
Për krosimet e Shaqirit ka folur Adrian Barishiq, që realizoi golin.
VIDEO: Asisti i Shaqirit
⚽️¡Primer gol para Adrian Leon Barisic 🇧🇦 con el FC Basel!
El central de 23 años anoto el único gol del duelo ante el Young Boys tras el gran centro de Xherdan Shaqiri 🇨🇭.
¡Gran momento para Adrian!#SuperLeague 🇨🇭#BiH 🇧🇦pic.twitter.com/xFEHXbrPce
“Ai ofron topa të mirë. E falënderoj për krosimin. Nuk kam shënuar më parë për Baselin dhe më duhet të pranoj që kam shumë potencial për zhvillim pas goditjeve të dënimit”, ka thënë mbrojtësi shtatlartë boshnjak.
Portieri i Baselit, Marwin Hitz, po ashtu foli shumë mirë për Shaqirin, që u kthye në Zvicër pas karrierës me plot suksese te skuadra si Bayern, Liverpool, Inter e disa të tjera.
“Topat e tij po bëhen gjithnjë e më të mirë. Ai ka shputë të jashtëzakonshme. Ka lëvizur shumë mirë në fushë dhe ka punuar shumë. Më në fund funksionoi. Nuk ishte goditja e parë e dënimit e tij e mirë, por për herë të parë çdo gjë funksionojë në mënyrën se si duhet të funksionojë”, ka theksuar Hitz.
Trajneri i Baselit, Fabio Celestini, ka lavdëruar Shaqirin në konferencë për shtyp.
“Ne i njohim kualitetet e Shaqirit. Duhet të provojmë të gjejmë opsionet më të mira për ta integruar Shaqirin në lojë. Me të dhe pa të janë dy ndeshje krejtësisht ndryshe. Nuk është më mirë apo më keq, por është ndryshe”, ka thënë Celestini.
Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, Baseli luan me St. Gallenin. Është tjetër ndeshje e vështirë, por tashmë të gjithë presin që Shaqiri të jetë vendimtar. Ai do të ketë dy javë shtesë për të gjetur formën më të mirë. Ndaj Young Boysit dëshmoi që është në rrugën e duhur. Shaqiri i ka dhënë fund karrierës te Zvicra dhe tani do të fokusohet plotësisht te Baseli.