Futboll

Shaqiri asiston për fitoren e Baselit në derbi

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri e ka regjistruar asistimin e parë në edicionin aktual të elitës së futbollit të Zvicrës.

Asistimi i tij ishte i rëndësishëm pasi Baseli e fitoi derbin ndaj Young Boysit, kampionit në fuqi të Zvicrës, që luajti prej minutës së 40-të pa Sandro Lauperin, i cili u ndëshkua me të kuq.

Baseli të dielën fitoi 1:0 në ndeshjen e xhiros së nëntë.

Shaqiri luajti deri në minutën e 72-të, ndërsa në golin e fitores, asistoi në minutën e 52-të kur shënoi Adrian Leon Barishiq.

Shaqiri e ka edhe një gol të shënuar në Kupën e Zvicrës.

Te Baseli në tërë ndeshjen luajti Leon Avdullahu, kurse Taulant Xhaka u inkuadrua nga minuta e 77-të.

Kastriot Imeri tek Young Boysi luajti vetëm në pjesën e parë.

Baseli pas nëntë ndeshjeve ka 13 pikë, kurse Luzerni, Zuerichu dhe Lugano janë lider me nga 18 pikë.

Ndërkohë në barazimin e Zuerichut 1:1 ndaj Luganos, asistues te vendësit ishte Bledian Krasniqi.

Young Boysi mbetet në pozitën e fundit me vetëm gjashtë pikë në nëntë ndeshje.