Deri tani, faza e ligës në Ligën e Konferencës ka qenë shumë e suksesshme për Luganon. Ekipi zviceran i drejtuar nga Mattia Croci-Torti fitoi me lehtësi, 3:0, ndaj HJK Helsinkit në ndeshjen e parë.
Dukshëm më i sfiduar ka qenë në ballafaqimin e xhiros së dytë. Megjithatë, Lugano fitoi edhe të enjten mbrëma në udhëtim te skuadra e Republikës së Çekisë, Mlada Boleslav, 1:0.
Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, Lugano ka gjashtë pikë dhe është në zonën që dërgon direkt në 1/8 e finales së kësaj gare. Aktualisht nëntë ekipe, nga 36 sa janë gjithsej, kanë nga gjashtë pikë. Gjashtë ekipe të tjera nuk kanë fituar asnjë pikë.
Skena kryesore në ballafaqimin që u zhvillua në stadiumin me 5 mijë ulëse në Mlada Boleslav, ishte në minutën e 38-të dhe të 82-të. Fillimisht, Lugano kaloi në epërsi. Uran Bislimi pasoi te Hicham Mahou, ndërsa gjuajtja e këtij të fundit arriti te Renato Steffen, i cili e shënoi golin e gjashtë të sezonit.
Më pas, në skenë u shfaq portieri i Kosovës, Amir Shaipi.
Fitorja iu rrezikua skuadrës helvetike. Albian Hajdari shkaktoi penallti, ndërsa Shaipi priti goditjet e Patrik Vydras në dy raste brenda tri minutash. Në tentimin e parë, lojtarët hynë në zonë pa u ekzekutuar penalltia. Më pas, Shaipi sërish reagoi për mrekulli dhe ia siguroi fitoren ekipit.
Festa ishte e madhe pas përfundimit të ndeshjes. Shaipi u bë protagonisti kryesor në fitore.
24-vjeçari, i cili e zhvilloi ndeshjen e 121-të me fanellën “bardhezi”, për herën e 33-të e la fushën pa pranuar gol.
Ai u shfaq shumë i lumtur për fitoren.
“Jam shumë i lumtur për ekipin dhe për tri pikët që i kemi arritur. Ne jemi grup i fortë dhe mund të fitojmë sërish të dielën kundër Young Boysit, nëse luajmë 100 për qind të fokusuar. Edhe një herë tjetër, insistimi ynë për të fituar ka qenë faktor vendimtar. Jam shumë i lumtur. U dërgoj përqafime të gjithë tifozëve të Luganos, të cilët i ftoj edhe të dielën për të na përkrahur, sepse kemi nevojë për ndihmën e tyre”, ka deklaruar pas ndeshjes Shaipi.
Shaipi në fakt ka qenë i kritikuar javëve të fundit, por me këto kritika nuk pajtohet trajneri Croci-Torti.
“Amiri është djalë shumë i dashur për mua. E kritikojmë atë por shumica ka harruar që nëse ne e kemi fituar Kupën e Zvicrës, ai ka qenë meritori, pasi në gjysmëfinale priti tri penallti. Edhe ndaj Partizanit të Beogradit ishte vendimtar. Portierët harrohen për pritjet që i bëjnë, ndërsa u kujtohen vetëm gabimet që i bëjnë. Ua bëj me dije të gjithëve se ai është ende portier i ri dhe si të gjithë portierët e tjerë të moshës së tij, mund të bëjë gabime. Por vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësohet. Shaipi ishte vendimtar dhe jam shumë i lumtur për të. E kam parë atë shumë të lumtur në fund të ndeshjes. Të presësh dy penallti është diçka e rrallë në Kupën Evropiane. Do të jetë paraqitje, të cilën ai do ta kujtojë gjithë jetën”, deklaroi pas ndeshjes trajneri zviceran.
Lugano do ta vazhdojë kampanjën në Ligën e Konferencës pas dy javësh me ndeshjen në udhëtim tek ekipi serb, Baçka Topola. Është shans i mirë për pikë të reja në këtë garë të UEFA-s, me Shaipin në formë.
Portieri i talentuar debutoi me “Dardanët” në ndeshje zyrtare me fitore. Ai ishte në portë në fitoren 2:1 ndaj Lituanisë.
Në të kaluarën, Shaipi ka qenë portier i grupmoshave U20 dhe U21 të Zvicrës, ku pati katër paraqitje, përkatësisht 14 paraqitje.
Pasi Zvicra nuk e pati në plane, Shaipi vendosi ta përfaqësojë Kosovën.