Futboll

Shaipi: Kam dashur të fitoj për mbesën time të ndjerë

Amir Shaipi

Portieri nga Kosova, Amir Shaipi ishte shpëtimtar i Luganos gjatë lojës. Ai mbajti skuadrën në lojë për 120 minuta me disa pritje shumë të mira

Finalja e Kupës së Zvicrës në futboll mes Servettes dhe Luganos do të mbahet mend gjatë. Pas 120 minutave pa gola, penalltitë vendosën fituesin. U gjuajtën nga 12 penallti, ndërsa me rezultat 9:8 fitoi Servette. Finalja u zhvillua të dielën në Bernë.

Të dy portierët kanë shkëlqyer. Portieri nga Kosova, Amir Shaipi ishte shpëtimtar i Luganos gjatë lojës.

Ai mbajti skuadrën në lojë për 120 minuta me disa pritje shumë të mira. Lojtarët e Servettes kishin shumë raste shënimi, por 23-vjeçari nuk u mposht. Megjithatë Shaipi, si gjithë lojtarët tjerë të Luganos, nga fusha u largua si humbës.

Për Shaipin, të cilin më parë e ka kërkuar Kosova, ishte finalja e tretë rresht e Kupës. Në vitin 2021 kishte fituar, ndërsa dy finalet e fundit i humbi.

“Është e hidhur të mbetesh pa trofe dy vjet rresht, duke u ndalur në finale”, ka thënë Shaipi, shkruan “20min.ch”.

“Thjeshtë ndihem bosh. Kam dashur të fitoj për mbesën e ndjerë. Për fat të keq nuk ishte e mjaftueshme. E di që nuk do të mund të flejë shumë në ditët e ardhshme. Por do të vijë dita kur do të mund ta ngre kokën lartë dhe të vazhdoj para”, ka shtuar Shaipi.

Kosovari ka theksuar se fati nuk ishte me Luganon.  Sipas tij, ka munguar që vetëm topi të jetë në rrjetë.
“Në fund Servette kishte pak fat që duhet në këto raste. Duhet të uroj Servetten. Lojtarët e saj po ashtu dhanë çdo gjë për ta fituar Kupën”.

Shaipi është i kënaqur me rezultatet e skuadrës në edicionin që tashmë ka përfunduar. Ai ka komplimentuar të gjithë lojtarët. Ka thënë se mund të jenë krenarë.

Albian Hajdari e Uran Bislimi po ashtu startuan te Lugano. Shkëlqim Vladi u aktivizua si zëvendësues, por më pas la fushën për shkak të një lëndimi. Kreshnik Hajrizi mungoi për shkak të një lëndimi.

Shaipi priti dy gjuajtje nga pika e bardhë dhe realizoi penalltinë e tij. Gjatë ndeshjes kishte disa përplasje me lojtarët e Servettes. Por kontributi i tij i madh nuk mjaftoi.