serbi-zvicer-gjithcka-qe-ndodh-para-gjate-dhe-pas-ndeshjes

Yakini analizon ndeshjen, flet për Xhakën

6 muaj më parë / 12 tet 2024 23:19
Granit Xhaka

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka theksuar se shumë gjëra po shkojnë kundër helvetikëve momentalisht.

Zvicra u mposht 2:0 nga Serbia të shtunën mbrëma në Leskovc.

“Shumë gjëra po shkojnë kundër nesh për momentin. Po luajmë mirë dhe po dominojmë. Por më pas humbim durimin. Nuk ishim të saktë dhe të përkushtuar sa kemi shpresuar. Plani ynë ishte të dominojmë ndeshjen. Të pësojmë gol në minutat shtesë të pjesës së parë është mungesë fati. Ata janë mbrojtur në mënyrë kompakte. Kemi ndryshuar sistemin dhe aktivizuam më shumë sulmues”, ka thënë Yakin për SRF.

Ai më pas foli për Granit Xhakën.

“Graniti ishte prezent sonte si gjithnjë dhe ka pasur shumë kontakte me topin. Ai drejtoi ndeshjen. Por jo çdo gjë varet prej tij. Kemi luajtur ndeshjen mirë për 40 minuta. Më pas erdhën dy gabime që sollën ndërprerjet. Vendasit e kanë fituar thuajse secilin duel”, ka shtuar selektori i Zvicrës.

Zvicra mposhtet në Leskovc, thirrje të shumta anti-Kosovë

6 muaj më parë / 12 tet 2024 22:39
Xhaka - Serbia

Ashtu si pritej, tifozët serbë kanë bërë thirrje të shumta kundër Kosovës në ndeshjen e Ligës së Kombeve të Serbisë ndaj Zvicrës.

Të shtunën mbrëma në Leskovc, në praninë e 8000 shikuesve, Serbia fitoi 2:0 ndaj Zvicrës së Granit Xhakës. Xhaka kishte ndeshje stabile, por jo edhe lojtarët e tjerë të Zvicrës që e pësuan humbjen e tretë rresht në Ligën e Kombeve të UEFA-s.

Nico Elvedi shënoi autogol në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, pas një goditje dënimi të vendasve. Ndërkohë mbrojtja e Zvicrës reagoi shumë plogësht në minutën e 61-të, kur Aleksandar Mitroviq mori topin afër vijës anësore dhe shkoi deri në zonë për të shënuar për 2:0.

Breel Embolo i Zvicrës humbi penallti për Zvicrën. Goditjen e tij e ndali portieri i Serbisë. Andi Zeqiri luajti prej minutës së 70-të për Zvicrën.

Ka pasur fishëkllima të shumta të huliganëve serbë ndaj Xhakës. Ato nisën pa filluar ndeshje. Por me kalimin e kohës ishin gjithnjë e më të vogla. Ndërkohë thirrjet anti-Kosova ishin të vazhdueshme në pjesën e parë, ndërsa janë dëgjuar herë pas here në pjesën e dytë.

Zvicra është e fundit në Grupin A4, pa pikë. Serbia është e treta me katër pikë.

Ndeshjen tjetër të këtij grupi mes Spanjës e Danimarkës e fituan spanjollët, 1:0.

Zvicra humb penalltinë

6 muaj më parë / 12 tet 2024 22:14
Serbia

Breel Embolo ka humbur penallti për Zvicrën në minutën e 72-të. 

Goditjen e tij e ndali portieri serb.

Prej minutës së 70-të për Zvicrën po luan Andi Zeqiri.

Serbia dyfishon epërsinë

6 muaj më parë / 12 tet 2024 22:08
Mitroviq

Aleksandar Mitroviq ka realizuar në minutën e 61-të për të dyfishuar epërsinë për Serbinë.

Rezultati aktual është 2:0.
 

Serbia do të dënohet nga UEFA

6 muaj më parë / 12 tet 2024 21:38
Serbia

Është thuajse e sigurt që Federata e Futbollit e Serbisë do të dënohet nga UEFA.

Për thirrjet “Kosova është Serbi” dhe të ngjashme, UEFA vazhdimisht ndan gjoba për serbët. Thirrje të tilla kishte shumë në Leskovc, sidomos në minutat e parë të ndeshjes së Serbisë me Zvicrën.

Ndonëse federata serbe tha se lejohen vetëm flamujt e Serbisë dhe të Zvicrës, në stadiumin në Leskovc është shfaqur edhe flamuri serb mbi hartën e Kosovës, që po ashtu është i papranueshëm nga UEFA.

Serbia kalon në epërsi në fund të pjesës së parë

6 muaj më parë / 12 tet 2024 21:34
Serbia

Serbia ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Zvicrës në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Pas një goditje dënimi, u shënua autogol nga Zvicra.

Vazhdojnë thirrjet anti-Kosovë në Leskovc

6 muaj më parë / 12 tet 2024 20:54
Thirrjet anti kosove

Foto: B92

Tifozët serbë nuk po ndalin thirrjet anti-Kosovë në ndeshjen ndaj Zvicrës në Leskovc.
“Kosova – Serbia”, “kush nuk kërcen është shqiptar”, janë prej thirrjeve që nuk po ndalen.
Rezultati mbetet 0:0.

Fishkëllima të vazhdueshme ndaj Xhakës

6 muaj më parë / 12 tet 2024 20:48
Xhaka

Sa herë që kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka e ka topin, tifozët serbë në Leskovc nisin fishkëllimat e mëdha. Por kjo duket që nuk ka asnjë ndikim te Xhaka, mesfushori që ka qindra ndeshje të mëdha në karrierë.

Këngë anti-Kosovë nga tifozët serbë

6 muaj më parë / 12 tet 2024 20:45
Granit Xhaka

Ende pa nisur ndeshja kanë nisur këngët anti-Kosovë të tifozëve serbë në stadiumin e Leskovcit në Serbi.
 

Fishkëllima të shumta të serbëve gjatë himnit të Zvicrës

6 muaj më parë / 12 tet 2024 20:41
Fishkellima

Tifozët serbë po fishkëllejnë gjatë intonimit të himnit të Zvicrës në stadiumin e Leskovcit.

Fishkëllehet Xhaka

6 muaj më parë / 12 tet 2024 20:27
Granit Xhaka

Granit Xhaka është fishkëllyer pasi doli për ngrohje në stadiumin “Duboçica” në Leskovc.

Kështu kanë raportuar mediat serbe. 

Sipas tyre kishte pak fishkëllima për Xhakën. 

Presion më i madh pritet pasi të nisë ndeshja (20:45).

Përleshje në Leskovc para ndeshjes Serbi – Zvicër

6 muaj më parë / 12 tet 2024 20:05
Leskovc

Në Leskovc të Serbisë ka ndodhur një përleshje në prag të ndeshjes së futbollit Serbi – Zvicër.

Sportal.rs njofton se janë përleshur tifozë serbë me policinë serbe. Në videon e publikuar shihet një tollovi e madhe e krijuar.

Ndeshja vlerësohet e rrezikshmërisë së lartë, ndërsa numri i pjesëtarëve të sigurisë është i madh.

Video

 

Xhaka udhëheq Zvicrën ndaj Serbisë

6 muaj më parë / 12 tet 2024 19:33
Granit Xhaka

Granit Xhaka

Kapiteni Granit Xhaka e udhëheq Zvicrën ndaj Serbisë në Leskovc.

Tashmë janë publikuar formacionet zyrtare për ndeshjen që fillon në ora 20:45 në Leskovc.

Presioni ndaj Xhakës pritet të jetë i madh në këtë ndeshje.

Andi Zeqiri është në stol te Zvicra.

Nisin provokimet e huliganëve serbë

6 muaj më parë / 12 tet 2024 19:17
Nisin provokimet e huliganëve serbë

Kanë nisur provokimet e huliganëve serbë në Leskovc, ku prej orës 20:45 zhvillohet ndeshja Serbi – Zvicër.

Një baner ku shkruan “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” tashmë është shfaqur nga huliganët serbë në qytetin e vogël në afërsi të kufirit me Kosovën.

Kuzmanoviq: Unë nuk do ta merrja Xhakën në Serbi

6 muaj më parë / 12 tet 2024 19:03
Granit Xhaka

Zdravko Kuzmanoviq është ish-reprezentues i Serbisë, i lindur në Zvicër. Kuzmanoviqi ka luajtur për U21 të Zvicrës e më pas i luajti 50 ndeshje për Serbinë.

Kuzmanoviqi së fundi ka folur për ndeshje Serbi – Zvicër, që zhvillohet sonte në Leskovc.

Ai është pyetur nëse do të tentonte ta bindte Granit Xhakën të mos udhëtojë për në Serbi nëse do të ishte në krye të federatës zvicerane.

“Po, do të tentoja. Do të largonte shumë nga ‘shpërthimi’ në këtë ndeshje dhe do të ishte gjëja më e mirë për të gjitha palët”, ka thënë Kuzmanoviq për “bluewin.ch”.

Ai shpreson që Xhaka do ta ruajë qetësinë edhe nëse provokohet.

“Shpresoj, por nuk e di. Nuk e njoh Granitin, nuk kam luajtur asnjëherë me të dhe nëse mbaj mend mirë as kundër tij. Fakti që ndeshja nuk luhet në Beograd, por në jug, në Leskovc, qartë se nuk e bën më të lehtë për Xhakën, për sa kohë që masa është e brengosur”, ka thënë Kuzmanoviq.

Sipas tij, vendimi që Xhaka ta udhëheqë Zvicrën në Serbi është i guximshëm dhe dëshmon se sa e rëndësishme është ndeshja.

Mediumi serb “harron” Xhakën

6 muaj më parë / 12 tet 2024 18:41
Granit Xhaka

Gazeta serbe, Sportski Zhurnal, ka paraqitur përbërjen e mundshme të Zvicrës për ndeshjen ndaj Serbisë. 

Me qëllim apo jo, ky medium nuk ka paraqitur kapitenin Granit Xhaka në përbërjen bazë të Zvicrës. Për këtë ka shkruar edhe Blick. 

Xhaka është i gatshëm dhe do ta udhëheqë Zvicrën ndaj Serbisë, sonte nga ora 20:45 në Leskovc.

 

Blick: Vuçiqi do të jetë në ndeshjen Serbi – Zvicër

6 muaj më parë / 12 tet 2024 18:39
Aleksandar Vuciq

Granit Xhaka do ta udhëheqë Zvicrën ndaj Serbisë në sytë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. 

Sipas gazetës së madhe zvicerane, Blick, Vuçiqi ka paralajmëruar praninë e tij në stadiumin “Duboçica” në Leskovc.

“Një kontingjent i madh i forcave të sigurisë të Serbisë pritet përreth stadiumit Duboçica të shtunën mbrëma. Jo për shkak të Zvicrës, por për shkak se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është regjistruar personalisht për ndeshje”, ka shkruar Blick.

“I kam dhënë vetes pasdite të lirë për të shikuar ndeshjen në Leskovc dhe fto njerëzit nga jugu i Serbisë të vijnë dhe të përkrahin ekipin tonë nacional”, ka shkruar Vuçiqi.