Trajneri Aliou Cisse, i cili e udhëhoqi Senegalin drejt titullit në Kupën e Afrikës dhe në dy turne të Kupës së Botës, e ka humbur punën të mërkurën.
Atij nuk i është vazhduar kontrata nga Federata e Futbollit e Senegalit, që ka thënë se ka qenë kërkesë e Qeverisë për të mos u vazhduar bashkëpunimi me të.
Cisse ka qenë selektor i Senegalit për afro 10 vjet.
Federata senegaleze në njoftimin e së mërkurës e ka falënderuar Cissen për kontributin e dhënë, ndërsa rezultatet me të i ka vlerësuar brilante.
Në letrën e publikuar të mërkurën nga Federata senegaleze e Futbollit, janë shfaqur edhe arsyet se pse Ministria e Sportit e këtij vendi, nuk ka dashur të vazhdojë me të edhe për një vit tjetër.
Aty thuhet se nuk janë arritur objektivat e turneut të fundit, skuadra ka rënë në renditjen e FIFA-s dhe se ekziston rreziku që të keqësohen raportet me publikun senegalez.
Nuk është e qartë nëse kërkesa e kësaj ministrie është në konflikt me rregullat e FIFA-s, që thotë se politika nuk duhet të përfshihet.