Astrit Selmani nuk do të jetë pjesë e Kosovës për duelin ndaj Rumanisë, por futbollisti i Dinamo Bukureshtit ka kërkuar nga bashkëkombësit e tij që të kenë kujdes sidomos nga Dennis Man dhe Valentin Mihaila.
Që të dy janë lojtarë të Parmas në Serie A.
Selmani ka folur të premten për mediumin “Prosport.ro”, edhe për cilësinë e lojtarëve të Kosovës.
Selmani ka shtatë gola e katër asistime në elitën e futbollit rumun.
“Zhegrova është njëri prej lojtarëve më të vlefshëm që e kemi dhe më i rrezikshmi për ju. Ai ka shënuar e asistuar në Ligën e Kampionëve. Por ne kemi edhe lojtarë tjerë në formë për momentin”, ka thënë Selmani për “ProSport”.
“Tifozët e Kosovës po shpresojnë për fitore dhe për ta fituar grupin në Ligën e Kombeve. Kështu që i gjithë shteti është i bashkuar për pikët e plota”.
Qëkur u transferua në Superligën e Rumanisë, Astrit Selmani ka nisur ta njoh më mirë ekipin e drejtuar nga Mircea Lucescu.
Ai beson se rreziku për Kosovën mund të vijë nga Mann dhe Mihaila.
Selmani ka shtuar po ashtu se atmosfera në “Arena Nationala” do të jetë e zjarrtë, pasi do të jenë 50 mijë shikues të pranishëm.
“Rumania ka ekip të mirë, të fortë. Ka lojtarë që po zhvillohen bashkë për kohë të gjatë, por edhe trajner me përvojë. Rumania luan në shtëpi. Do të ketë edhe përkrahje të madhe nga tribunat dhe do të jetë vështirë për ne. Duhet t’u kushtojmë vëmendje dy lojtarëve të Parmas, Dennis Manit dhe Valentin Mihailas. Mendoj se këta janë dy lojtarët më të rrezikshëm”, ka deklaruar Selmani.
Rumania e Kosova luajnë sonte nga ora 20:45.