Futboll

Selektori i Islandës pranon që Kosova ka lojtarë të mirë, por thotë se ekipi është i rëndësishëm

Arnar Gunnlaugsson

Islanda i kishte bërë të gjithë për vete me paraqitjet në Kampionatin Evropian “Franca 2016”. Islandezët e kaluan grupin, duke barazuar me Portugalinë dhe Hungarinë dhe duke fituar ndaj Austrisë. Më pas bënë njërën prej befasive më të mëdha në histori të Kampionateve Evropiane duke e eliminuar Anglinë në një të tetën e finales. Në çerekfinale luftuan shumë, por megjithatë u mposhtën 5:2 nga Franca, që ndërkohë arriti deri në finale.

Ditët e lavdisë duken të largëta për Islandën. Ajo pjesëmarrje në Evropian ishte e para dhe e vetmja deri më tani. Islanda u kualifikua edhe në Botërorin 2018, për herë të parë e të vetme.

Tani Islanda luan me Kosovën për vend në Ligën B të Ligës së Kombeve. Ndeshja e parë është të enjten në “Fadil Vokrri”, ndërsa e kthimit të dielën në Spanjë.

Gjenerata që u paraqit në Euro 2016 më nuk është pjesë e Islandës. Por shpirti ekipor mbetet i njëjti. Kështu të paktën thotë selektori i Islandës, Arnar Gunnlaugsson.

Në një intervistë për KOHËN ai ka folur për rëndësinë e ndeshjes me Kosovën, faktin që ndeshja e dytë zhvillohet në Spanjë e jo në Islandë dhe për synimet e ardhshme të islandezëve.

“Pasioni dhe përkushtimi maksimal i lojtarëve na ka bërë të njohur në gjithë botën. Shpirti luftarak dhe shpirti ekipor ende është në ekipin tonë. Përfaqësuesja jonë ka ruajtur pikat kryesore të forta, ndonëse grupi i lojtarëve ndryshon dhe skuadra evoluon, njëjtë si në çdo përfaqësuese tjetër”, ka thënë Gunnlaugsson.

Ai mori drejtimin e Islandës në fillim të këtij viti. Ndeshja kundër Kosovës në “Fadil Vokrri” do të jetë e para e Gunnlaugssonit si selektor.

“Është plejof me dy ndeshje dhe rezultati i përgjithshëm vlen në fund. Gjithsesi është me rëndësi të fillojmë me rezultat të mirë”, ka thënë selektori islandez i pyetur për ndeshjen e tij të parë në Prishtinë.

Islanda garoi në Ligën B të Ligës së Kombeve në edicionin e kaluar. Mbeti e treta në grup me Uellsin, Turqinë dhe Malin e Zi. Kosova ishte e dyta në grup në Ligën C. Tani përfaqësuesja më e mirë pas dy ndeshjeve luan në B në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

“E dimë që përfaqësuesja e Kosovës ka lojtarë të mirë individualë. Por në mendjen time është gjithmonë ekipi që është i rëndësishëm. Kosova si ekip ka pasur rezultate të mira në vitet e fundit nën drejtimin e trajnerit Franco Foda. Ai është trajner me përvojë dhe vizion të qartë se si dëshiron të luajnë ekipet e tij. Neve na mbetet të përgatitemi mirë për dy ndeshjet”, ka thënë 52-vjeçari Arnar Gunnlaugsson.

Ai i ka 32 ndeshje e tre gola me Islandën. Si trajner ka punuar në tri skuadra islandeze. Si sulmues ishte te Feyenoord, Nurnbergu, Sochaux, Boltoni, Leicesteri, Stoke City, Dundee dhe te skuadra të shumta në Islandë.

“Nuk e di nëse do të ndikojë fakti që nuk luajmë në shtëpi në ndeshjen e dytë. Nuk ishim në këtë pozitë asnjëherë më parë. Kemi lojtarë cilësorë që jamë profesionistë dhe kanë përvojë duke luajtur në vende të ndryshme në Evropë. Ndoshta dielli i Spanjës do të në bëjë të gjithëve mirë”, ka theksuar selektori islandez.

Gunnlaugsson pranon se dy ndeshjet me Kosovën janë të veçanta për të.

“Qartë se janë ndeshje të veçanta për mua. Janë ndeshjet e para në krye të përfaqësuese. Jam krenar që jam selektor i Islandës dhe e di që të gjithë lojtarëve janë krenarë që e prezantojnë vendin e dytë”.

Rrugës për në Botërorin 2018, Islanda e kishte mposhtur dy herë Kosovën. Kishte fituar 2:1 në Shkodër më 24 mars 2017 dhe 2:0 në Reykjavik, më 9 tetor 2017. Me fitoren e dytë ndaj Kosovës kishte konfirmuar suksesin historik – kualifikimin në Botëror.