Lindon Selahi me Rijekën është afër për të triumfuar në elitën e futbollit të Kroacisë.
Rijeka është e para me 59 pikë, katër më shumë se Hajduku i Splitit, dhe pesë më shumë se Dinamo e Zagrebit që e ka një ndeshje më pak të luajtur.
25-vjeçari Selahi që luan si mesfushor qendror, ka kontribuuar goxha shumë në sukseset e Rijekës në edicionin aktual.
Ai ka zhvilluar 29 paraqitje dhe ka shënuar tri gola.
Por, nuk ka marrë ftesë nga përzgjedhësi Sylvinho për ndeshjet miqësore të muajit mars.
Megjithatë, Selahi ka shpresë se mund të jetë pjesë e listës përfundimtare të Shqipërisë për “Euro 2024” që organizohet në Gjermani këtë verë.
Dhe në rast se ftohet, ai ka folur edhe për duelin e mundshëm me Luka Modriqin, në grupin e vështirë të “kuqezinjve”.
“Në grupin e Kampionatit Evropian janë Italia, Spanja dhe Kroacia. Ndoshta përzgjedhësi i Shqipërisë nuk më ka ftuar në herët e fundit. Por unë shpresoj që të më ftojë për Evropian, natyrisht. Po flas për këtë edhe në dhomat e zhveshjes sepse jam lojtar i Rijekës. Nëse jam në Evropian do ta kem duelin me Luka Modriqin. Fituesin e ‘Topit të Artë’. Por, ju më njihni. Nëse kjo ndodh, nuk do të jetë e lehtë për të. Ajo që është e sigurt është se do të luftoj me gjithë fuqinë time për ta mbuluar atë”, ka deklaruar Selahi, i cili më pas ka folur për lojtarin më të mirë të elitës kroate.
“Po i dëgjoj shpeshherë, Petkoviq ose Livaja, për ta flitet tash e sa vjet. Dhe nuk është as njëri e as tjetri. Lojtari më i mirë në ligë është Toni Fruk. Mënyra se si ai luan futboll është fenomenale. Qëkur ka ardhur te Rijeka, ai ka lëvizur disa nivele më lart. Është djalë modest dhe i shkëlqyer. Fruk është më i miri”, ka deklaruar Selahi në intervistën e dhënë për “nacional.hr” të mërkurën.