Futboll

Salihu mohon ndikimin në vendim: Në KAS nuk blihen njerëzit

Salihu

Ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FKK), Eroll Salihu ka mohuar se ka pasur ndikim në vendimin që ka marrë në favor të klubit të futbollit Prishitnë, Këshillit për Arbitrazh Sportiv (KAS) që funksionon në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). 

Reagimi i Salihut vjen pasi u akuzua nga FFK-ja se ka pasur ndikim në vendim. Por Salihu ka thënë se në KAS nuk blihen njerëzit.  

“Është rasti i dytë pas Dinamo. Asnjërin rast nuk kam qenë pjesë e as diskutimit dhe as nuk e kam caktuar kryetarin e panelit. Vet këshilli e ka bërë për shkak, ta quaj konflikt interesi, sepse nuk ka konflikt, pasi unë si kryetar nuk kam marrë pjesë në vendim. Por thjesht këta njerëz janë mësuar të blejnë njerëz, këtu nuk mund t’i blejnë njerëzit. Po mundohen ta largojnë vëmendjen nga problemet e veta, parregullsitë e veta. Shikoni se çfarë i bën Dinamos, tash edhe Prishtinës. Një zot e di. Jeni të bindur se nuk e kam ditur as vendimin që është marrë, pasi është stërzgjatur ky proces”, ka thënë Salihut të mërkurën për KOHËN.

Prishtina nuk ishte licencuar nga FFK-ja për edicionin 2023/2024 të garave evropiane. Prishtina nuk e kishte pranuar këtë vendim dhe i ishte drejtuar Këshillit për Arbitrazh Sportiv (KAS) që funksionon në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës. Dhe ky organ të martën ka vendosur se ankesa e Prishtinës kundër FFK-së ishte e bazuar. KAS-i ka vendosur të anulohet vendimi i 26 majit të vitit 2023, që nuk e licenconte Prishtinën.

“Unë po them se Gjykata ka qenë plotësisht e pavarur. Njerëzit e këqij mendojnë se gjithnjë janë të këqij. Hajnat, mashtruesit mendojnë se janë gjithmonë të tillë. Po bëjnë parregullsi, mashtrime dhe gënjeshtra. Futbollin po e udhëheq një avokat që lidhje nuk ka me futboll”, është shprehur Salihu.

Sekretari Salihu dhe FFK-ja janë në një proces gjyqësor. 

“E kam paditur për çështjen e kontratës”, është shprehur Salihu.