Federata e Futbollit e Kosovës ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Llozanë lidhur me vendimin e UEFA-s për ndeshjen Rumani – Kosovë. Por deri më tani nuk ka njoftuar për ndonjë hap konkret.
Ndërkohë të martën Federata e Futbollit e Rumanisë konfirmoi se do të atakojë në CAS vendimin e 20 nëntorit, që e mori Apeli i UEFA-s.
UEFA e regjistroi ndeshjen e ndërprerë me rezultatin zyrtar, 3:0, në të mirë të Rumanisë. E gjobiti federatën rumune me 128 mijë euro për shkelje të ndryshme, ndërsa FFK-ja u gjobit me 6000 euro për ndëshkimin e pesë lojtarëve të Kosovës me kartonë të verdhë në ndeshjen e 15 nëntorit në Bukuresht.
Ndeshja u ndërpre në minutat shtesë. Pas fyerjeve nga tifozët rumunë, që bënë thirrje “Serbia, Serbia”, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha dhe refuzuan të kthehen. UEFA e konsideroi ndeshjen të braktisur dhe për këtë arsye fitorja me rezultat zyrtar i takoi Rumanisë.
Rumunët do të kërkojnë në CAS që gjoba prej 128 mijë eurove të zvogëlohet. Ndërkohë synojnë që të anulojnë vendimin e UEFA-s për zhvillimin pa shikues të ndeshjes së ardhshme të Rumanisë si vendase. Por rumunët janë të pakënaqur edhe me dënimin që UEFA i ka dhënë FFK-së. Thonë se ndaj federatës kosovare nuk janë marrë fare masa nga UEFA.
“Kosova ka shkelur principin më të rëndësishëm në futboll që ndeshja të luhet në fushë. Por, ekipi kosovar nuk është sanksionuar. Në vend të kësaj morëm disa gjoba dhe një sanksionim që e konsiderojmë shumë të lartë”, ka thënë presidenti i federatës rumune, Razvan Burleanu.
Sipas federatës rumune, sjelljet e tifozëve rumunë ishin të denja deri në minutat shtesë. Rumunët pretendojnë se tifozët e tyre janë provokuar nga lojtarët e Kosovës. Në fakt të paktën një lojtar i Kosovës ka ngritur gishtin e mesëm në drejtim të tifozëve rumunë, pas një tollovie të krijuar në fund të ndeshjes. Ka pasur edhe veprime të tjera të pahijshme. Për këtë rumunët thonë se ka prova.
Në federatën rumune thonë se dënimi për ta është dashur të jetë më i vogël nga UEFA e dënimi për Kosovën dukshëm më i madh.
Dënimi më i madh për Rumaninë, prej 50 mijë eurosh dhe me një ndeshje pa shikues u dha për fyerje anti-hungareze. Për mesazhin politik, përkatësisht për thirrjet “Serbia, Serbia”, Rumania u gjobit me 30 mijë euro. Për hedhje të gjësendeve gjoba është 9000 euro, për fishekzjarrë 4500 euro e për pengimin me dritë të laserit 8000 euro. Për fishkëllimat gjatë himnit të Kosovës, rumunët duhet të paguajnë 12 mijë e 500 euro, ndërsa për mbylljen e rrugëve në tribuna, përkatësisht për qëndrim të shikuesve në vendin e caktuar për lëvizje gjoba është 14 mijë euro.
Andrei Vochin, këshilltar i presidentit të federatës rumune, Razvan Burleanu, ka dhënë më shumë detaje për ankesën në CAS. Ai ka thënë se dërgimi i rastit në CAS është hap i logjikshëm.
“Nuk më besohet që gjoba që mori Kosova, pos humbjes 3:0 që ishte e qartë që do të ndodhte, është vetëm 6000 euro, ndërkohë që ne jemi dënuar 8000 euro për laser. Më duket mospërputhje. Apo që për qëndrimin e tifozëve në shkallë në sektorë të caktuar, që nuk lejohet, të dënohemi 14 mijë euro. Në vendimin ndaj Kosovës nuk shoh askund gjobë për veprimet e pahijshme të lojtarëve në drejtim të tifozëve tanë. Ato veprime ishin nxitëse dhe u anashkaluan në vendim, ndonëse sa e di unë, janë paraqitur në raportin e ndeshjes”, ka thënë Vochin për “fanatik.ro”.
Sipas tij, Rumania ka gjasa prej 93 për qind për të fituar rastin në CAS. Ai bazohet në rastet e fituara deri më tani.
“Gjobat duhet të reduktohen dhe të shohim se si është e rregulluar çështja e ndeshjes pa tifozë, se si mund të zgjidhet ajo. Çështja e Kosovës jo domosdoshmërisht është e jona. Ne kemi bilanc të mirë në CAS në dhjetë vjetët e fundit”, ka thënë Andrei Vochin.
Rumunët së pari duan ta vërtetojnë rezultatin 3:0 e më pas të sigurojnë tifozët për ndeshjen e ardhshme. Pretendojnë se të gjitha gjobat janë të rënda. Thonë se vetëm një karrige është hedhur në fushë dhe ajo nuk e ka goditur askënd.