Në Federatën e Futbollit të Rumanisë presin që deri të mërkurën të pranojnë vendimin e CAS-it lidhur me ankesën që kanë bërë për ndeshjen ndaj Kosovës.
Federata rumune është ankuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, duke vlerësuar se dënimet e UEFA-s ndaj saj ishin shumë të larta.
UEFA e regjistroi ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë, por Federatën rumune e gjobiti me 128 mijë euro dhe me zhvillimin e një ndeshjeje pa shikues.
Ndeshja Rumani – Kosovë ishte zhvilluar më 15 nëntor në Bukuresht. Në minutat shtesë, kur rezultati ishte 0:0, në fushë erdhi deri te nëj përplasje mes lojtarëve. Në tribuna u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia” dhe lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha. Ata refuzuan të kthehen për të vazhduar ndeshjen, ndonëse këtë ua kërkoi arbitri i ndeshjes, danezi Morten Krogh. Arbitri më pas doli në fushë dhe dha shenjë për fundin e takimit.
UEFA, ashtu si pritej, e regjistroi ndeshjen me rezultatin zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë. Kështu UEFA vlerësoi se lojtarët e Kosovës kanë braktisur pa të drejtë takimin. Por rumunët u dënuan për shkelje të shumta, ndërsa dënimin më të rëndë e morën për thirrje anti-Hungari, sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të UEFA-s.
“Ka frikë që nëse vendimi i parë mbetet, që ndeshja pa shikues do të jetë ajo ndaj Bosnjë-Hercegovinës, që është e para kualifikuese e Rumanisë për Botërorin 2026 dhe duhet të zhvillohet më 21 mars. Burime të autorizuara kanë njoftuar që vendimi nga Tribunali i Lozanës pritet në 48 orët e ardhshme. Rasti ishte në agjendë të CAS-it për më shumë se një muaj dhe vendimi duhet të merret shpejt pasi federata duhet të nisë organizimin e ndeshjes me Bosnjë-Hercegovinën”, shkruan gazeta e njohur rumune “GSP”.
Për vendimin e mundshëm të CAS-it në dhjetor ka folur selektori rumun, Mircea Lucescu.
“Të presim e të shohim. Situata po diskutohet në CAS. Nga diskutimet që kishim me njerëzit nga lidershipi i UEFA-s kemi kuptuar që njerëzit nga Kosova e kanë shfrytëzuar këtë ndeshje për të zgjidhur një problem politik, që është jokorrekte. Le të shohim në CAS. Ka shpresë, natyrisht. Nuk do të ishte mirë të fillojmë pa tifozë”, ka thënë Lucescu.
Rumunët pretendojnë që të ulin gjobën dhe të luajnë me shikues ndaj Bosnjës. Për Rumaninë, njëjtë si për të gjitha përfaqësueset e tjera, prania e shikuesve në ndeshjen e parë kualifikuese është me vlerë të madhe.
Rrethanë rënduese për rumunët është që shkelje të kësaj natyre ka bërë edhe në të kaluarën.
Edhe Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se i është drejtuar CAS-it për vendimin e njëjtë të UEFA-s. Por FFK-ja nuk ka sqaruar se me çfarë kërkese i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.
Ndeshjet mes Rumanisë e Kosovës vazhdimisht kanë ofruar tensione dhe punë për komisionet e UEFA-s. Kjo pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, sa herë që Kosova e Rumania do të jenë në të njëjtin grup.