Futboll

Rumania pritet të dënohet sërish, tani nga FIFA

Tifoz rumun

Shtëpia Botërore e Futbollit (FIFA), ka hapur procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë për shkak të sjelljeve të tifozëve në ndeshjen kundër Bosnjë-Hercegovinës e luajtur më 21 mars. Mediumet rumune të martën kanë raportuar se tifozët e Rumanisë gjatë ndeshjes së parë kualifikuese të Botërorit 2026, kanë pasur thirrje ksenofobike ndaj hungarezëve. “Nga tribuna ku ishin ultrasit e Rumanisë, u dëgjuan thirrje të forta dhe të përsëritura ‘largoni hungarezët nga vendi’”, shkruan “gsp.ro”. 

Sipas sajtit rumun, Rumania pritet të gjobitet financiarisht, ndërsa ndeshjen e radhës në shtëpi kundër Qipros, mund ta luaj me numër të kufizuar të shikuesve. “Duke qenë përsëritës, ndeshja në shtëpi kundër Qipros, e caktuar më 10 qershor, në skenarin më të keq, mund të luhet pa shikues”.

Rumania në vjeshtën e vitit 2026 do ta zhvilloj pa shikues një ndeshje të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Rumania ishte dënuar me 128 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s, për disa shkelje në ndeshjen ndaj Kosovës, të zhvilluar më 15 nëntor të vitit të kaluar.

UEFA e regjistroi ndeshjen ndaj Kosovës me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë, por e dënoi  Federatën rumune për shkak të disa shkeljeve, ndër të tjera edhe për thirrjeve të tifozëve.
CAS-i kishte refuzuar ankesën e rumunëve. CAS-i ende nuk ka marrë vendim për ankesën e Federatës së Futbollit të Kosovës.