Real Madridi ka qenë skuadra për t’u parë edhe në këtë edicion. Pas shumë momenteve dramatike, arriti në finale të Championsit.
Fazën grupore, Real Madridi e kaloi me shumë lehtësi, duke i fituar ndeshjet që i pati në Grupin C kundër Napolit, Bragas dhe Union Berlinit.
Madrilenët duhet t’i jenë mirënjohës për kalimin në finale edhe portierit ukrainas, Andriy Lunin që shfaqi siguri gjatë kampanjës.
Madridi e eliminoi Leipzigun, Manchester Cityn dhe Bayern Munichun në fazën nokaut të garës evropiane.
Reali i udhëhequr nga trajneri Carlo Ancelotti mund të luajë me formacionin 4-4-2 por edhe me 4-3-3.
Gjithçka ka qenë më e lehtë kur në fushë kanë qenë Jude Bellingham, Toni Kroos e Vinicius Junior.
Ancelotti është trajneri që e udhëhoqi Real Madridin drejt titullit të dhjetë evropian në vitin 2014.
Ai u kthye te madrilenët në vitin 2021 dhe shkroi histori duke u bërë trajneri i parë që e fiton Kupën Evropiane apo Ligën e Kampionëve, katër herë gjithsej.
Po ashtu, Ancelotti është trajneri i parë që ka fituar tituj në Itali, Angli, Francë, Gjermani dhe Spanjë.
Pra në të gjitha ligat e mëdha evropiane.
Për Real Madridin është finalja e 18-të e Kupës Evropiane apo Ligës së Kampionëve, shtatë herë më shumë se Bayern Munichu apo Milani, që kanë arritur nga 11 finale.