Futboll

Rritja e shpejtë e Berishës gëzon zyrtarët e Lecces

Medon Berisha

Patrick Dorgu është futbollisti i krahut të majtë për të cilin flitet në gjithë Evropën, ndërsa Lecce përveç tij, po e zhvillon edhe një tjetër futbollist cilësor. 

Të mërkurën për Medon Berishën, mediumi italian “Tuttomercatoëeb”, ka shkruar një artikull të gjatë, në të cilin tregohet për rritjen e shpejtë të personalitetit dhe aftësive në fushën e lojës së 21-vjeçarit.

Dorgu në verë pritet të largohet nga Lecce për jo më pak se 30 milionë euro. 

Medon Berisha mund të bëj lëvizje të madhe brenda pak kohësh po ashtu. 

“Mesfushori shqiptar që u lind në vitin 2003, fillimisht e mahniti Giampaolon e më pas edhe tifozët e skuadrës”, ka shkruar mediumi italian. 

Berisha ishte në mesin e protagonistëve të grupmoshës U19 në suksesin historik, në edicionin 2022-23. Ai në atë kohë luante si numër 10 klasik. Pasi u grumbullua me ekipin e parë luajti pak fillimisht, por muajt e fundit kanë qenë vendimtare në adaptimin e tij në futbollin e seniorëve. Rritja graduale e tij ka bërë që ai ta fitojë rastin e titullarit edhe në formacionin e trajnerit Luca Gotti. 

Ish-trajneri i Lecces i besoi në dy ndeshjet e fundit të edicionit 2023/24 dhe në fillim të këtij kampionati. Megjithatë, lëndimi ia ndali hovin pasi e mbajti jashtë për dy muaj. 

Por, Berisha tani e ka gjetur ritmin dhe është pikë kyçe e formacionit të trajnerit të ri, Marco Giampaolo. 

Kërkesat e Giampaolos për rolin e organizatorit të lojës? Ritmi. Berisha, i cili luajti në “Euro 2024” me Shqipërinë në verë, ka treguar personalitet të madh, pavarësisht moshës së re. 

Në Romë ai e qëlloi shtyllën me gjuajtje shumë të fuqishme, ndërsa kundër Monzas gjuajti nga afro 50 metra. Por ndeshja ndaj Lazios në “Olimpico” të Romës, ka konfirmuar se 21-vjeçari mund të bëhet lojtar titullar dhe shumë i rëndësishëm në gjitha aspektet për Leccen. 

Më 2 shtator të vitit 2022, drejtori i futbollit te skuadra e Lecces, Pantaleo Corvino, kishte dhënë sinjale se Berisha mund të bëhet lojtar cilësor. 

“Kualiteti nuk ka moshë. Vetëm tifozët mund t’i shohin emrat dhe do ta preferonin Fabregasin e jo Berishën”, kishte deklaruar ai. 

“2025 është para nesh dhe mund të jetë viti që do të sjellë një tjetër lojtar të çmuar”, ka shkruar mediumi italian. 

Vetë Berisha pas ndeshjes ndaj Lazios, të cilën Lecce e humbi, ka thënë se ka ende rrugë për përmirësim, por këtë do ta arrijë vetëm me punë të madhe. 

“Jam rritur shumë dhe trajneri po më jep shumë vetëbesim. Pas ndeshjes ishim të dëshpëruar sepse luajtëm lojë shumë të mirë. Kemi vuajtur shumë por ishim të bashkuar deri në fund. Mund të përmirësohem çdo ditë në çdo aspekt. Nuk ka diçka që do ta veçoja se ku duhet të përmirësohem, por e di se duhet të rritem ende e të fitojë më shumë eksperiencë”, kishte deklaruar Berisha më 21 dhjetor. 

Berisha në shtatë paraqitjet e edicionit aktual në të gjitha garat e ka një asistim, atë në fitoren 2:1 ndaj Monzas.

Berisha ishte pjesë e grupmoshave U19 e U20 të Shqipërisë, para se t’i bashkohej Kosovës U21 e të luante dy ndeshje. 

Nga “Dardanët” e rinj u largua për t’iu bashkuar Shqipërisë U21. 

Përzgjedhësi Sylvinho ia dha rastin për debutim te Shqipëria më 3 qershor të këtij viti në miqësore, ndërsa ka luajtur për 20 minuta në Evropian ndaj Spanjës në humbjen 1:0, dhe ndaj Ukrainës në Ligën e Kombeve në fitoren 2:1.