Futboll

Rrëfimi i veçantë i Sylvinhos për “The Guardian”

Sylvinho

“Unë kurrë nuk qëndroj i qetë”, thotë Sylvinho në pasditen që në mënyrën më të mirë të mundshme e vërteton mendimin e tij.

“Lojtarët e dinë, Federata e di, presidenti e di. Festa e Krishtlindjes, fundi i vitit, normalisht ju rifilloni punën në janar... por gjithë kohën unë mendoj se si mund të kalojmë. Si mund të luajmë kundër Italisë? Si mund të luajmë kundër Kroacisë? Çka do të bëjmë kundër spanjollëve?”.

Është një preokupim i kuptueshëm duke pasur parasysh që Shqipëria, të cilën Sylvinho e kualifikoi në mënyrë të jashtëzakonshme në “Euro 2024”, duhet të përballet me të tri përfaqësueset e mëdha gjatë dy javëve të ardhshme në grupin më të vështirë të Evropianit.

Shqipërisë nuk ka mundur t’i qëllojë grup më i vështirë dhe do të bëhet bujë nëse ajo e kalon grupin.
“Duhet të gjesh një mënyrë për të reduktuar distancën mes atyre dhe neve”, thotë ai. “Si? Duhet të punosh”.

Puna nuk i ka munguar kurrë. Sylvinho u përfshi i tëri kur në fillim të vitit të kaluar u pajtua të merrte nën kontroll ekipin kombëtar që po ngecte. 

Ai ishte në shtëpi, në Porto, së bashku me familjen, kur Armando Duka, presidenti i FSHF-së, e telefonoi dhe e ftoi në Milano për darkë.

“Mendova: pse jo?”, thotë ai duke përplasur duart. “Unë jam këtu”.

Vendimi duhej të ishte i duhuri, sepse Sylvinho, i njohur për ditët e tij si futbollist tek Arsenali, Barcelona dhe Manchester City, nuk kishte qëndruar shumë në dy periudhat e kaluara si trajner. 

Periudhat në Lyon dhe Corinthians përfunduan papritur. Dhe kështu një hap i gabuar, në një mjedis vështirë të njohur për stabilitet, mund të ishte goditje fatale në ambiciet e mëtejshme.

“I thash asistentit tim,  Doriva: Duhet të jem i zgjuar, nuk mund të gaboj. Sepse nëse bëj një zgjedhje të keqe do të jem në telashe”.

Rreziku ishte i kalkuluar dhe nuk kishte koha për masa gjysmake. Sylvinho nuk e shihte veten si trajner i përfaqësueses që paraqitet vetëm për ndeshje dhe kampe stërvitore. Ai e kuptoi se do të mund të ishte i suksesshëm vetëm nëse vendoset në Tiranë dhe angazhohet vazhdimisht.

Fillimi me humbje, por me energjinë e duhur

Në Tiranë, rrugës për në vendin e punës, përqafime shkëmbehen me vargun e punonjësve që i takon Sylvinho. Ngrohtësia është e ndjeshme.

“Duhet të njohësh njerëzit”, thotë ai. “Nuk mund të paraqitem vetëm dhjetë ditë para ndeshjes. Atmosfera që shihet këtu, isha absolutisht i sigurt se do të bartej në fushë”.

Rezultatet e Shqipërisë me Sylvinhon forcojnë këtë. Ai pa mjaft inkurajim për ndeshjen e parë, një humbje me rezultat të ngushtë në Poloni. Dhe nisi të besojë se kualifikimi ishte synim real.
Tre muajt paraprak ishin të mbushur me udhëtime për të takuar lojtarë në vende të ndryshme. Fillimisht në listë ishin rreth 50 lojtarë. Kohën tjetër e kaloi në “laborator”, një dhomë në fund të korridorit, e pajisur me tabela, ekrane dhe raporte që paraqesin formën e çdo anëtari të mundshëm të skuadrës.

“Në Varshavë ne humbëm 1:0, por të gjithë lojtarët thanë më pas se kjo ishte rruga”, thotë braziliani.
Shqipëria më nuk humbi asnjë ndeshje. Përfundoi në krye të grupit që përfshinte edhe Çekinë. U shënuan gola spektakolarë dhe u shfaq futboll i shkëlqyer në kundërsulme.
Në “Euro 2016”, ku debutoi, Shqipëria ishte solide por jo spektakolare. Sylvinho vendosi për sistemin 4-3-3 dhe ndjeu se po merrte më të mirën.

“Teknikisht janë të mrekullueshëm, kanë diçka ndryshe dhe mund ta tregojnë në fushë”, thotë ai për lojtarët e Shqipërisë.

“Ata nuk janë bërë për të dalë në fushë dhe thjeshtë të mendojnë: 4-4-2, nuk e kemi topin, nuk kemi nevojë të bëjmë ndonjë gjë të veçantë. Ata e duan anën taktike, e kuptojnë punën  e vështirë, por atyre u pëlqen të kenë hapësirë për të krijuar dhe ju duhet t’i lini të bëjnë këtë”.

Suksesi më i madh se si lojtar

Një gol spektakolar nga Nedim Bajrami në Pragë në shtatorin e kaluar ishte një rast i tillë dhe për Sylvinhon rrënjosi rritjen e besimit.

“Dritarja u hap për ne atje. Ishte pika kyçe e idesë se ne mund t’ia dalim”.

Fitoret e bujshme në shtëpi kundër Polonisë dhe Çekisë, në stadiumin e stërmbushur, rezervuan vendin në Gjermani.

Hulumtimi i Sylvinhos kishte dhënë rezultat. Prej yjeve ishte Jasir Asani, i cili luante në Kore të Jugut dhe nuk ishte thirrur më parë në kualifikime. Asani i shënoi tri gola, duke përfshirë një marramendës nga 30 metra ndaj Polonisë.

“Ju punoni 10 apo 12 orë, çdo ditë. Dhe më pas ndoshta shkoni për darkë dhe shikoni një ndeshje futbolli. Edhe për mua ishte sfidë e madhe. Por ju besoni në taktikë, në hapësirën e lirë dhe lojtarët e mirë. Në ekipin U21 dhe në gjeneratën e vjetër. Është vërtetë kënaqësi”, thotë Sylvinho.
Suksesi me Shqipërinë, thotë Sylvinho, është më i madh se çdo e arritur e tij si lojtar. Ai ndër të tjera ka fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve me Barcelonën.

“Nuk mund të ketë gjëra si: Unë jam Sylvinho, kam fituar tre trofetë në vitin 2009, kam punuar për Guardiolan dhe tani i di të gjitha. Ajo që kam bërë më parë është e rëndësishme si e kaluar dhe mund ta shfrytëzojë, por nuk mund të vijë këtu dhe të flas me lojtarët për nivel tjetër. Ju nuk mund vetëm të hyni në zhveshtore dhe të thoni Liga e Kampionëve”.

Ai tregon një rast.

“Në fillim, një nga lojtarët më dha topin. ‘Të shohim si godet trajneri’. E mora topin me duar, që është gjëja e parë që na kanë thënë të mos e bëjmë si fëmijë. Unë mund të kem teknikë të mirë, por kishte një mesazh më të madh në këtë. Po, e kam bërë. Por tani duhet ta bëni ju sepse unë nuk mund ta bëj më. Nuk është koha ime, është e juaja. Ndoshta isha i rëndësishëm si lojtar, por nuk jam më. Më është dashur të tërhiqem, të punoj dhe të edukoj veten”.

Si në shaka, Sylvinho thotë se flet shumë dhe se Doriva, ish-lojtari i Middlerbrough dhe një mik shumë i besueshëm, është zëri më i qetë i arsyes. Ishte Doriva që e bindi atë se përvoja si asistent i Tites te Brazili mes viteve 2016 e 2019 ishte arsyeja kryesore për t’u ndjerë i sigurt për të pranuar postin e përzgjedhësit të Shqipërisë.

“Ai kishte të drejtë”, thotë Sylvinho. 

Pablo Zabaleta, ish-lojtari i njohur i Manchester Cityt dhe Argjentinës, kompleton treshen e trajnerëve.

Guardiola, Wenger, Tite

Guardiola, Arsene Wenger dhe Tite janë prej trajnerëve që ndihmuan formimin e Sylvinhos. Ai mban kontakte të kohëpaskohshme me të tretë, ndërsa beson se “pjesë e të qenit i respektuar është të mos dërgosh shumë mesazhe tek ata”.

Në vitin 2008 ishte Guardiola që prezantoi përfitimet e edukimit të lojtarëve duke përdorur incizime.
“Lojtarët janë intiegjentë. Nëse flisni budallallëqe dhe nuk keni të drejtë, ata do ta dinë. Ju duhet të jeni të saktë dhe t’i bindni ata”, thotë Sylvinho.

Me shumë ndikim është edhe Roberto Mancini. Sylvinho ishte asistent i tij në Inter. 

Nëntë lojtarë të Sylvinhos luajnë në Serie A. Lidhjet kulturore me Italinë janë të rëndësishme dhe italishtja është, së bashku me pak anglisht, gjuha që përdoret në mes të stafit dhe lojtarëve të Shqipërisë në zhveshtore.

“Një ndeshje e mahnitshme për të filluar dhe do të jetë vështirë. Një sfidë e madhe. Ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën”, thotë ai për takimin e së shtunës ndaj Italisë. 

“Ju nuk duhet të filloni turneun duke u brengosur për tri, katër, pesë apo gjashtë pikë. Ka të bëjë me secilën ndeshje.  Ndeshja e parë do të jetë me të vërtetë e rëndësishme, por edhe të tjerat”.

Shqipëria do të jetë e përgatitur shumë mirë për ndeshjen me Italinë. Etikën e punës që ka, Sylvinho ia atribuon babait të tij, që ishte kritik i vazhdueshëm edhe pasi u bë profesionist te Corinthians. Ai tregon se sa luante për Arsenalin në Premier League, përgatitej për një kundërshtar të veçantë shumë javë përpara. 

Pritjet janë që Sylvinho të drejtojë Shqipërinë në Botërorin 2026. Ai ndihet si në shtëpi tani. Në dhjetor iu dha shtetësia e Shqipërisë si shpërblim për realizimin e një ëndrre të shqiptarëve. Tani sfidë është të krijohen kujtime edhe më të mëdha. 

“Janë tri ndeshje, 90 minuta secila dhe gjithçka mund të ndodhë. Mund të ndryshoni jetën tuaj gjatë asaj kohe. Vërtetë mundeni. Njerëzit thonë ‘qetësohuni, qetësohuni’. Por unë nuk mundem. Është detyra ime të sigurohem që të bëjmë më të mirën për të arritur diçka të veçantë”.