Kapiteni i Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, ka thënë se është ende herët të flitet për titull të kampionit. Ai është i kënaqur me rezultatet e deritashme të Napolit në Serie A. Napoli është në vendin e parë me 13 pikë, një më shumë se Juventusi dhe dy më shumë se Milani, Interi dhe Torino.
“Jemi ende në fillim, ka ende shumë punë për t’u bërë. Duhet të vazhdojmë kështu, do të jetë e rëndësishme që të kemi vazhdimësinë e duhur gjatë kampionatit”, ka thënë Rrahmani për mediumet italiane.
Ai ka vlerësuar lart punën e trajnerit të Napolit, Antonio Conte. Ka theksuar se trajneri luan rol të madh në rezultatet e ekipit.
“Trajneri është i rëndësishëm, është ai që i jep rrugë ekipit. Ne po përpiqemi të ndjekim udhëzimet e trajnerit Antonio Conte dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu”, është shprehur Rrahmani.
Mbrojtësi 30-vjeçar me Napolin fitoi titullin e kampionit në edicionin 2022/2023. Dy tituj të kampionit fitoi edhe me fanellën e Dinamo Zagrebit.
Rrahmani iu bashkua Napolit në gusht të vitit 2020. Me klubin italian ka kontratë deri në qershor të vitit 2027 me mundësi vazhdimi edhe për një vit.
Për Napolin ka asistuar një herë në shtatë ndeshje në të gjitha garat. Rrahmani nga viti 2016 ka shënuar gjashtë gola në 58 ndeshje për Kosovën.