Sulmuesi i Gjilanit, Robert Rrahmani, është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës.
Vlerësimin e bëri një komision i veteranëve të futbollit, i përzgjedhur nga FFK-ja.
Rrahmani e udhëhoqi Gjilanin në fitoren 2:1 ndaj Llapit. Shënoi njërin gol dhe ishte vazhdimisht kërcënim për portën llapjane.
“Kemi besuar që këtë ndeshje do ta fitojmë, ndonëse ishim në disavantazh. Trajneri na ka motivuar shumë. Renditja tabelare nuk është realiteti i ekipit tonë. Organizimi i klubit dhe seancat stërvitore janë në perfeksion dhe presim që ta gjejmë lojën tonë. Falënderoj komisionin për vlerësimin si dhe stafin teknik dhe bashkëlojtaret, sepse pa ta ky çmim nuk do të ishte i mundur”, ka thënë Rrahmani për faqen zyrtare të FFK-së.