Mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, nuk është lojtari më i mirë në botë. Por, Rrahmani është më i miri në botë në fillim të edicionit për lojën në ajër.
Sipas të dhënave të nxjerra nga Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive (CIES), Rrahmani ka pasur efikasitet të goditjeve me kokë prej 98.9 për qind, duke lënë prapa Virgil Van Dijkun e Liverpoolit, Ousmane Diomanden e Sportingut të Lisbonës e Willian Pachon e Paris Saint-Germainit.
Për statistikat e publikuara të mërkurën, e ku Rrahmani kryeson, është pyetur edhe trajneri i Napolit, Antonio Conte. Ai në konferencë për media ka vlerësuar formën e kapitenit të Kosovës.
“Lojtari do të jetë më i mirë pas punës me mua, nuk mendoj se jam mendjemadh, por historia flet. Unë e di se çfarë jap, çfarë transferoj, me çfarë pasioni, lojtarët vlerësojnë dhe flasin. Për Amirin situata ishte ndryshe. Kam thënë më herët se nuk është faji i mbrojtësve që pësuan 48 gola sezonin e kaluar, por përqendrimi i të gjithëve. Ne mbrohemi bashkë. Duhet të rrisim nivelin si në fazën e mbrojtjes ashtu edhe të sulmit, sepse sulmi nis nga prapa. Unë nuk kam parë kurrë një ekip supersulmues që fiton pa u mbrojtur. Zakonisht titulli fitohet nga mbrojtjet e mira”, ka thënë Conte.
Rrahmani 30-vjeçar ka gjetur sërish formën nën drejtimin e Contes. Këtë edicion Rrahmani po vlerësohet për paraqitjet në fushë.
“Kosovari po paraqitet në nivel shumë të lartë këtë sezon dhe ka krijuar një dyshe thuajse të pakalueshme me Alessandro Buongiornon”, shkruan “mondonapoli.it”.
Rrahmani ka luajtur të gjitha gjashtë ndeshjet e edicionit aktual në Serie A. Ka asistuar një herë, ndërsa me Napolin janë në vendin e parë në kampionatin italian.
Mbrojtësi 30-vjeçar me Napolin fitoi titullin e kampionit në edicionin 2022/2023. Dy tituj të kampionit i fitoi edhe me fanellën e Dinamo Zagrebit.
Rrahmani iu bashkua Napolit në gusht të vitit 2020. Me klubin italian ka kontratë deri në qershor të vitit 2027 me mundësi vazhdimi edhe për një vit.