Futboll

Ronaldo në lot pas golit të 900-të, Portugalia fiton

Cr7

Foto: Associated Press

Cristiano Ronaldo u pa me lot në sy pasi e shënoi golin e 900-të në karrierë, në ndeshjen që Portugalia e fitoi ndaj Kroacisë të enjten mbrëma. 

Portugalia e nisi me fitore 2:1 edicionin e ri të Ligës së Kombeve, në ndeshjen që i takoi Grupit 1 të Ligës A të Ligës së Kombeve. 

Diogo Dalot shënoi për 1:0 në minutën e shtatë, ndërsa në minutën e 34-t, Ronaldo realizoi pas asistimit të Nuno Mendesit. 

Ishte goli i 131-të për 39-vjeçarin Ronaldo për Portugalinë, ndërsa në nivel klubesh ai ka realizuar 769 gola. 

Dalot shënoi autogol në minutën e 41-të dhe e vendosi rezultatin final të ndeshjes. 

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Polonia fitoi në udhëtim te Skocia, 3:2. 

Sebastian Szymansi dhe Robert Lewandowski shënuan për polakët, ndërsa Billy Gilmour dhe Scott McTominay, realizuan për vendësit.

Në minutën e 97-të, Nicola Zalewski i siguroi fitoren polakëve.