Roma ka njoftuar të enjten se trajneri Daniele de Rossi do të jetë në krye të skuadrës edhe sezonin e ardhshëm.
“Pas një takimi me De Rossin të mërkurën pasdite, ne jemi të kënaqur të njoftojmë se ai do të vazhdojë të jetë trajner i Romës përtej sezonit 2023/24”, thanë në një deklaratë pronarët e klubit Dan dhe Ryan Friedkin.
Ata nuk specifikuan se sa do të zgjasë kontrata e re e italianit, por njoftuan se më shumë detaje do të bëhen të ditura në ditët në vijim.
De Rossi zëvendësoi Jose Mourinhon në pankinën e Romës në fillim të janarit dhe më pas nënshkroi kontratë deri në fund të sezonit.
Roma në atë moment ishte e nënta në Serie A, ndërsa tani është e pesta dhe lufton për një vend në Champions.
Nën drejtimin e De Rossit, Roma regjistroi 11 fitore, tre barazime dhe dy humbje në 16 ndeshje në të gjitha garat.
Humbjen e vetme në Serie A, De Rossi e përjetoi ndaj Interit, dhe të dytën ndaj Brightonit 1:0 në ndeshjen e kthimit të 1/16-s së Ligës së Evropës, por pasi Roma fitoi bindshëm ndeshjen e parë 4:0.
Sonte pas fitores 1:0 në ndeshjen e parë, lojtarët e Romës do të presin skuadrën e Milanit në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Evropës.