Rodri e fitoi garën e fortë me Vinicius Jr për Topin e Artë. Gazeta e madhe franceze, “L’Equipe”, të premten ka publikuar pikët e secilit prej 30 kandidatëve për Topin e Artë, që u nda më 28 tetor.
Ka pasur shumë komente e reagime pasi mesfushori i Manchester Cityt dhe Spanjës, Rodri, e fitoi Topin e Artë, që është trofeu kryesor individual në futboll. Ishte pritur që sulmuesi brazilian i Real Madridit, Vinicius Jr, të shpallej fitues. Por në ditën e ceremonisë u kuptua se Viniciusi nuk ishte fitues dhe kjo bëri që të gjithë anëtarët e Real Madridit ta bojkotojnë ngjarjen madhështore të mbajtur në Paris.
Rodri është shpallur më i miri duke fituar 1170 pikë. 41 pikë më pak, përkatësisht 1129 pikë, i kishte Vinicius Jr.
Jude Bellingham, lojtari tjetër i Real Madridit, mblodhi 917 pikë, që ia siguruan vendin e tretë.
Dallimi i treshes së parë me të tjerët ishte i madh. Dani Carvajal, që fitoi gjithë trofetë me Spanjën e Real Madridin, ishte i katërti me 550 pikë. Erling Haalandi mblodhi 432 pikë në vendin e pestë, ndërsa Kylian Mbappe u vlerësua me 420 pikë në vendin e gjashtë.
Granit Xhaka, i renditur i 16-ti, mori 60 pikë.
Artem Dovbyku i Ukrainës dhe Mats Hummelsi i Gjermanisë, ishin kandidatë, por nuk morën asnjë pikë. Rrjedhimisht janë në fund të listës.
Pikët maksimale të mundshme ishin 1485, shkruan “L’Equipe”.
“France Football”, si organizatore e Topit të Artë, ka bërë nominimin e 30 lojtarëve. Ndërkohë gazetarë të sportit që kanë prezantuar 100 vendet më të ranguara në FIFA, kanë bërë përzgjedhjen. Kanë votuar 100 gazetarë. Përzgjedhja është bërë në bazë të tri kritereve: paraqitjes individuale; paraqitjes kolektive dhe arritjeve; klasit dhe lojës korrekte.
Secili anëtar ka mundur të përzgjedhë dhjetë lojtarë. Pikët maksimale ishin 15, më pas 12, 10, 8, 7, 5, 4, 3, 2, 1. Ai që mblodhi më së shumti pikë, Rodri, u shpall fitues.
“France Football” prej këtij viti Topin e Artë e organizon së bashku me UEFA-n. UEFA ka hequr dorë prej çmimeve të saj për t’u bashkuar me “France Football” për Topin e Artë.
Klasifikimi për Topin e Artë 2024
1. Rodri (Spanja, Manchester City), 1170 pikë
2. Vinicius Jr. (Brazili, Real Madridi), 1129 pikë
3. Jude Bellingham (Anglia, Real Madridi), 917 pikë
4. Dani Carvajal (Spanja, Real Madridi), 550 pikë
5. Erling Haaland (Norvegjia, Manchester City), 432 pikë
6. Kylian Mbappé (Franca, PSG), 420 pikë
7. Lautaro Martinez (Argjentina, Interi), 402 pikë
8. Lamine Yamal (Spanja, Barcelona), 383 pikë
9. Toni Kroos (Gjermania, Real Madridi), 291 pikë
10. Harry Kane (Anglia, Bayerni), 201 pikë
11. Phil Foden (Anglia, Manchester City), 157 pikë
12. Florian Wirtz (Gjermania, Leverkuseni), 101 pikë
13. Dani Olmo (Spanja, RB Leipzigu), 86 pikë
14. Ademola Lookman (Nigeria, Atalanta), 82 pikë
15. Nico Williams (Spanja, Athletic Bilbao), 73 pikë
16. Granit Xhaka (Zvicra, Leverkuseni), 60 pikë
17. Federico Valverde (Uruguai, Real Madridi), 58 pikë
18. Emiliano Martinez (Argjentina, Aston Villa), 28 pikë
19. Martin Odegaard (Norvegjia, Arsenali), 16 pikë
20. Hakan Çalhanoglu (Turqia, Interi), 15 pikë
21. Bukayo Saka (Anglia, Arsenali), 14 pikë
22. Antonio Rudiger (Gjermania, Real Madridi), 13 pikë
23. Ruben Dias (Portugalia, Manchester City), 8 pikë
24. William Saliba (Franca, Arsenali), 8 pikë
25. Cole Palmer (Anglia, Manchester City/Chelsea), 7 pikë
26. Declan Rice (Anglia, Arsenali), 5 pikë
27. Vitinha (Portugali, PSG), 5 pikë
28. Alejandro Grimaldo (Spanja, Leverkuseni), 2 pikë
29. Artem Dovbyk (Ukraina, Dnipro/Girona), 0 pikë
- . Mats Hummels (Gjermania, Dortmundi), 0 pikë.