Rijeka e ka mposhtur Hajdukun e Splitit në Poljud dhe ka avancuar në gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë.
Në fitoren 3:1 të Rijekës të mërkurën mbrëma, gjurmë la edhe mesfushori Lindon Selahi.
26-vjeçari asistoi në golin për 2:0 në minutën e 13-të, të cilin e shënoi mesfushori tjetër Toni Fruk.
Selahi ka një gol të shënuar e dy asistime në 27 paraqitje në të gjitha garat e edicionit aktual. Ai luajti deri në minutën e 91-të.
Ndeshja e zhvilluar në Split ishte shumë e tensionuar, por në fund fitues dolën mysafirët.
Rijeka është në garë të fortë me Hajdukun dhe Dinamon e Zagrebit edhe për titull në elitën kroate.
Rijeka prin me 45 pikë, një më shumë se Hajduku.
Dinamo në vendin e tretë ka 38 pikë.