(Kicker) – Nuk kishte dyshim se Elvis Rexhbeçaj do të kthehej në njëmbëdhjetëshen e parë të Augsburgut ndaj Bayern Munchenit, pasi vuajti suspendimin. Në mungesë të Kristijan Jakiqit, ai luajti më shumë si mesfushor defensiv. Megjithatë, Jess Thorup heziton të humbë lojtarin e fortë të Kosovës në vrapim dhe luftë.
“Mund të kishim arritur të fitonim një pikë”, tha 27-vjeçari pas humbjes 3:0 dhe më pas dha arsyet. “Në mbrojtje ishte lojë shumë e mirë, nuk lejuam hapësira. Bayerni zakonisht luan më mirë. Në ndeshjet në shtëpi ka krijuar më shumë sesa kundër nesh”.
Por.
“Nëse dëshiron të marrësh diçka në Munih, duhet të krijosh diçka. Ne ishim shumë të dobët me topin dhe luajtëm shumë keq”.
Augsburgu është në kërkim të ekuilibrit në këto ditë vjeshte dhe Rexhbeçaj është ikona e kësaj me stilin e tij të lojës. “Unë nuk jam i bukur në fushë”.
Në mbrojtje, paraqitjet janë kryesisht në rregull dhe skuadra pranon më pak gola sesa në fillim të sezonit. Por ka një problem në ofensivë. Me dhjetë gola në 169 ndeshje të Bundesligës, Rexhbeçaj gjithashtu nuk është lojtar që shënon gola.
Futbollisti jep këndvështrimin e tij për ndeshjen e së shtunës në shtëpi kundër ekipit të fundit në tabelë.
“Ne patjetër duhet të paraqitemi më mirë në lojën me top kundër Bochumit. Do të jetë një lojë krejtësisht tjetër”.
Me sa duket ajo në të cilën Augsburgu duhet të fokusohet është të dominojë lojën dhe të ketë dukshëm më shumë topi sesa shifra prej 20 për qind që e kishte në “Allianz Arena”.
Krahas angazhimit në Augsburg, Rexhbeçaj luan edhe jashtë vendit. Ai tashmë ka luajtur pesë ndeshje ndërkombëtare për Kosovën dhe ka siguruar një vend në formacion.
“Ishte fantastike”, përgjigjet ai kur u pyet për ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve, edhe pse pati efekt negativ rezultati i lojës në Rumani.
Pasi Kosova, siç duket ishte fyer nga shikuesit, lojtarët e saj u larguan nga fusha në kohën kur rezultati ishte 0:0. UEFA ia dha fitoren Rumanisë me rezultatin 3:0.
“Për ne nuk kishte rëndësi”, thotë Rexhbeçaj. “Ne jemi të gjithë qenie njerëzore, unë jam plotësisht normal si gjithë të tjerët. Kam dy duar, dy këmbë, dy sy, dy veshë. Kemi bërë një lojë jashtëzakonisht të mirë në Rumani dhe është e trishtueshme që nuk flitet për të”.
As për fitoren 1:0 kundër Lituanisë kur Kosova zhvilloi 45 minuta me një lojtar më pak në fushë.
“Janë incidente që ne nuk i pranojmë më. Diçka e tillë nuk duhet të jetë askund, jo vetëm në fushën e futbollit. Ne kemi dërguar një sinjal të qartë se nuk do të vazhdojmë kështu”.
E qartë dhe e saktë. E rëndësishme të shtunën do të ishte ana sportive me një fitore kundër Bochumit, në mënyrë që Augsburgu të vazhdojë të mbajë distancën e mjaftueshme për t’i shpëtuar rënies.