Futboll

Reijnders shpjegon mënyrën e veçantë të festimit të golave

Reijnders

Ylli i Milanit, Tijjani Reijnders, ka shpjeguar se festat e tij pas golave të shënuar e përmbledhin moton e tij se “kjo është jeta”. 

Holandezi po kalon edicion të jashtëzakonshëm me “rossonerët”. 

Ai ka realizuar 15 gola dhe ka dhuruar katër asistime në 48 paraqitje në të gjitha garat. 

Golin e fundit e realizoi në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë kundër Interit, duke e ndihmuar Milanin të kualifikohet në finale. 

“Në shtëpi bëj shaka vazhdimisht dhe kur gjërat nuk shkojnë siç duhet, unë gjithmonë them – kjo është jeta”, ka deklaruar Reijnders për “La Gazzetta dello  Sport” të premten. 

“Veprimi i ngritjes së duarve lartë e përmbledh moton time. Por këtë e preferoj ta bëj pasi të shënoj gol dhe jo kur gjërat nuk shkojnë mirë”. 

Milani është i pamposhtur ndaj Interit në pesë ndeshjet e këtij edicioni, duke i siguruar tri fitore e dy barazime. 

Reijnders së fundmi e ka vazhduar kontratën me Milanin deri në vitin 2030.