Federata Angleze e Futbollit e ka refuzuar kërkesën e Tottenham Hotspurit për mesfushorin uruguaian Rodrigo Bentancur. Tottenhami kërkoi që Bentancurit t’i përfundojë para kohe dënimi që e mbajti jashtë fushave në pesë ndeshjet e fundit.
Federata angleze muajin e kaluar e dënoi me shtatë ndeshje moslojë në Premier League, Bentancurin.
Ai është dënuar edhe me 100 mijë euro për shkak të fyerjeve racore që ia bëri bashkëlojtarit të tij te skuadra e Tottenhamit, Heung-min Son.
Bentancur gjatë një interviste për një medium uruguaian kishte thënë se Son dhe të afërmit e tij duken të gjithë njësoj.
27-vjeçari më pas kërkoi falje në rrjetet sociale.
“Kjo ankesë e Tottenhamit u hodh poshtë pas një seance dëgjimore dhe pezullimi prej shtatë ndeshjesh mbetet ashtu siç ka urdhëruar Komisioni Rregullator”, shkruan të martën në një deklaratë të Federatës Angleze.
Bentancur do t’i mungojë Tottenhamit edhe në dy ndeshjet e ardhshme ndaj Manchester Unitedit dhe Liverpoolit.