Real Madridi e ka fituar trofeun e 15-të të garës më të çmuar për klube në Evropë. Të shtunën në “Wembleyn” ikonik, madrilenët fituan në finalen e nëntë rresht nga po aq sa i kanë zhvilluar prejse gara mori emrin Liga e Kampionëve.
Real Madridi mposhti Dortmundin me rezultatin 2:0, me dy gola të realizuar në pjesën e dytë.
Në pjesën e parë, Dortmundi shfaqi më shumë por nuk shënoi gol.
Me të nisur pjesa e dytë, madrilenët shfaqën fytyrë tjetër dhe arritën t’i shënonin dy gola.
Dani Carvajal në minutën e 74-t e shënoi golin e parë me kokë pas harkimit të Toni Kroosit, ndërsa Vinicius Junior me asistim të Jude Bellinghamit, e vendosi rezultatin final të takimit.
Nicklas Fullkrug shënoi për Dortmundin në minutën e 85-të, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Fullkrug e qëlloi edhe shtyllën në pjesën e parë.
Për Real Madridin kompletohet një tjetër edicion i suksesshëm, pas triumfit në La Liga për herën e 36-të.
Dortmundi i kaloi pritshmëritë në këtë edicion të Championsit dhe u paraqit në finale, por i mungoi freskia në momentet vendimtare.
Për Toni Kroosin ishte ndeshja e fundit në nivel klubesh pasi ka paralajmëruar pensionimin nga futbolli aktiv, pas “Euro 2024”. Ai ka gjashtë trofe të fituar në Ligën e Kampionëve.
Edhe te Dortmundi ndeshjen e fundit e zhvilloi Marco Reus, pas më shumë se një dekade. Reus humbi edhe në finale të Championsit në vitin 2013 me Dortmundin, nga Bayern Munichu.
Ndërkohë, Carlo Ancelotti vazhdon të shkruajë histori në Ligën e Kampionëve. Tekniku italian ka pesë trofe të Championsit në total. Tri prej tyre i ka fituar me Real Madridin, ndërsa dy herë ka triumfuar me Milanin. Bob Paisley, Zinedine Zidane dhe Pep Guardiola mbeten me tri trofe të fituar në Champions.
Bellinghami në lot, flet për triumfin historik
Jude Bellingham ka qenë shumë i emocionuar kur u intervistua nga “TNT Sports” të shtunën pas fitores në finalen e Championsit.
“Gjithmonë kam ëndërruar të luajë në këso ndeshjesh”, ka thënë mesfushori i Anglisë.
“Kalon gjithë jetën dhe ka kaq shumë njerëz që të thonë se nuk mund të arrish asgjë. Familja ime është aty dhe do të mundohem të jem model për vëllanë tim. Nuk mund ta përshkruaj këtë ndjenjë me fjalë. Është nata më e mirë e jetës time”, theksoi Bellingham.
Ancelotti: Ky është trofeu më i veçantë i karrierës
Trajneri Carlo Ancelotti e fitoi Ligën e Kampionëve për herën e pestë në karrierë, diçka që nuk e ka arritur askush më parë.
“Kemi vuajtur, ka qenë ndeshje shumë e komplikuar. Dortmundi luajti ndeshje të madhe, por kjo është në ADN-në e Real Madridit. Një tjetër natë, një tjetër finale, një tjetër Kupë Evropiane për historinë e klubit tonë. Do ta ngre këtë trofe lartë sa më shumë që mundem. Është më i veçanti si trajner. Ëndrrat u bënë realitet dhe sot ka qenë një prej momenteve më të mira. Nuk dua të flas për të ardhmen. Jam shumë i lumtur që po vazhdojë të shkruajë historinë me Real Madridin”, theksoi Ancelotti.
Carvajal: Vendosmëria është çelësi i suksesit në karrierë
Mbrojtësi Dani Carvajal ka thënë pas ndeshjes se vendosmëria për të arritur diçka, ka qenë çelësi i suksesit në karrierën e tij.
“Në pjesën e parë nuk merituam as barazim. Por futbolli është ky dhe jemi shumë të lumtur. Ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm. Gjithmonë i them familjes, vendosmëria është çelësi i suksesit në karrierë. E humba një rast, por shënova në rastin e dytë”, theksoi Carvajal për “Movistar”.
Zgjidhet më i miri i ndeshjes
Dani Carvajal është emëruar lojtari më i mirë i ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve nga UEFA.
“Shumë dinamik, i disiplinuar dhe i përkushtuar në paraqitjen si mbrojtës i krahut të djathtë. Shumë solid në anën defensive. Vazhdimisht i dha ekipit hapësira dhe u shfaq në momentet vendimtare të ndeshjes, duke treguar besim dhe arriti të shënojë gol”, ka shkruar UEFA në arsyetimin e zgjedhjes së lojtarit të ndeshjes.

Vinicius Jr. fundos Dortmundin
Vinicius Junior e ka shënuar edhe golin e dytë për Real Madridin ndaj Dortmundit në finale.
Braziliani në minutën e 83-të, shfrytëzoi pasimin e Jude Bellinghamit që përfitoi pas gabimit në mbrojtjen e skuadrës gjermane.
Vinicius Jr. ishte i pagabueshëm.
Bellingham për pak sa nuk e dënon ish-skuadrën
Jude Bellingham ka qenë ish-futbollist i skuadrës së Dortmundit.
Por, në finale të Championsit, ai për pak sa nuk shënoi ndaj ish-skuadrës.
Bellingham në minutën e 77-të, nga një penallti në lëvizje, gjuajti jashtë.
Reali në epërsi
Pas shumë tentativave, Real Madridi ka kaluar në epërsi në finale të Championsit ndaj Dortmundit.
Toni Kroos harkoi nga këndi në minutën e 74-t, ndërsa në portën e Kobelit shënoi Dani Carvajal.
Dortmundi shfaqet rrezikshëm
Dortmundi ishte përqendruar në mbrojtje pas iniciativës së Real Madridit në pjesën e dytë, por është shfaqur rrezikshëm pas një ore lojë.
Në minutën e 63-të, sulmuesi Niclas Fullkrug gjuajti fuqishëm, por intervenoi portieri i madrilenëve, Thibaut Courtois.
Reali kthehet rrezikshëm në pjesën e dytë
Real Madridi është kthyer rrezikshëm në pjesën e dytë.
Toni Kroos për pak sa nuk shënoi supergol nga gjuajtja e lirë në minutën e 49-të, ndërsa nga goditja nga këndi, Dani Carvajal për pak sa nuk shënoi me kokë.
Dortmundi dominon ndaj Realit, por nuk shënon në pjesën e parë
Nuk e kishte menduar askush, por Dortmundi ka shfaqur shumë më shumë se Real Madridi në finale të Ligës së Kampionëve.
Real Madridi është 14 herë fitues i Ligës së Kampionëve dhe llogaritej favorit para duelit.
Por, ka qenë Dortmundi që ka dalë më rrezikshëm në shanse për shënim në pjesën e parë që u mbyll 0:0.
Karim Adeyemi dhe Nicklas Fullkrug patën mundësitë më të mira në pjesën e parë për “verdhezinjtë”.
Fullkrug në minutën e 23-të e qëlloi shtyllën pingule, kurse Adeyemi në minutën e 28-të nuk shënoi edhe pse ishte i vetëm me portierin Thibaut Courtois.
Belgu Courtois, që është në mes të shtyllave në portën e Real Madridit në vend të Andriy Luninit, priti në minutën e 41-të edhe një gjuajtje shumë të fortë të Marcel Sabitzerit.
Finalja po luhet në “Wembley”, ndërsa është krijuar atmosferë e zjarrtë nga tifozëria gjermane dhe ajo spanjolle.
Dortmundi me mundësitë më të mira
Kanë kaluar 25 minuta lojë dhe Dortmundi është shfaqur më i rrezikshëm në finalen e Ligës së Kampionëve.
Karim Adeyemi e pati mundësinë më të mirë, por nuk arriti të shënojë pavarësisht se ishte ballë për ballë me portierin Thibaut Courtois.
Pak minuta më vonë rrezikoi edhe Nicklas Fullkrug që e qëlloi shtyllën pingule.
Ish-bashkëlojtari i Muriqit te Burnley, sonte luan në finale të Championsit
Rrugëtimi i Ian Maatsenit është i jashtëzakonshëm.
Ai në maj të vitit të kaluar ishte bashkëlojtar me portierin e Kosovës, Arijanet Muriq.
Muriq në portë dhe Maatsen në krahun e majtë të mbrojtjes, ishin së bashku në ndeshjen e 8 majit të vitit 2023, kur Burnley fitoi 3:0 ndaj Cardiffit në Championship, kategorinë e dytë të futbollit anglez.
Më 1 qershor të vitit 2024, Maatsen është titullar në finale të Ligës së Kampionëve për Dortmundin, kundër Real Madridit.
Arijanet Muriq nuk arriti që ta sigurojë mbijetesën me Burnleyn në Premier League.
Maatsen është futbollist i Chelseat, i huazuar te Dortmundi.
Tifozi që sonte mund ta fitojë Championsin
Më 12 maj të vitit 2012, kampioni i Bundesligës, Borussia Dortmundi, mposhti Bayern Munichun 5:2 në finale të Kupës së Gjermanisë dhe e kompletoi fitimin e dy trofeve në Gjermani.
Në pjesën perëndimore të “Olympiastadionit” në Berlin, në mesin e mijërave tifozëve të Dortmundit ishte edhe Edin Terziq.
Në atë kohë, Terziq ishte 29-vjeçar dhe ishte asistent te grupmosha U17 e Dortmundit.
Nëntë vjet më vonë, në fundin e sezonit 2020-21, në kohën e pandemisë së koronavirusit, Terziqi ngriti lartë trofeun e Kupës së Gjermanisë, si trajner i përkohshëm i Dortmundit.
Sonte, ai është në udhëheqje të Dortmundit dhe e kërkon trofeun e Ligës së Kampionëve në finalen ndaj Real Madridit.
Si reagojnë tifozët e Dortmundit kur e shohin Kloppin dhe Mourinhon
Tifozët e Dortmundit kanë brohoritur fort kur e kanë parë në ekranin e stadiumit, ish-trajnerin e skuadrës, Juergen Kloppin.
Kloppi është i pranishëm në finale si i ftuar nga klubi, pasi e kishte drejtuar Dortmundin për shtatë vjet.
Megjithatë, pasi nga ekrani u largua Kloppi dhe doli Jose Mourinho, tifozët e Dortmundit kanë reaguar në mënyrë të çuditshme.
How the Dortmund fans reacted to Jürgen Klopp vs. José Mourinho 🤣
— B/R Football (@brfootball) June 1, 2024
(via @footballontnt) pic.twitter.com/Ol0Bgu14pK
Formacionet zyrtare të finales së “Championsit”
Real Madridi dhe Borussia Dortmundi kanë publikuar formacionet startuese për ndeshjen finale në Ligën e Kampionëve.
Në formacionin startues te Reali është kthyer portieri Thibault Courtois. Në mbrojtje janë Carvajal, Rudiger, Nacho e Mendy, ndërsa në mesfushë Valverde, Camavinga dhe Kroos që ka ndeshjen e fundit në karrierë te Reali. Bellinghami, Rodrygo dhe Viniciusi i prijnë sulmit të “Mbretërve”.
Te Dortmundi startojnë: Kobel, Schlotterbeck, Sancho, Fullkrug, Hummels, Brandt, Sabitzer, Maatsen, Can, Ryerson dhe Adeyemi.
Ndeshja finale nis në orën 21:00. Ajo zhvillohet në Wembley.