Futboll

Reagon Qëndrim Kida pasi Malisheva siguron Evropën

Qendrim Kida

Trajneri Qëndrim Kida e udhëhoqi me sukses Malishevën që do ta përfundojë edicionin 2023/2024 në vendin e katërt në elitën e futbollit të Kosovës, ndonëse ka mbetur edhe një xhiro deri në fund të kampionatit. 

Malisheva e katërta aktualisht ka 56 pikë, ndërsa Prishtina ishte e pesta ka 49 pikë. 

Pas disfatës së Prishtinës në finale të Kupës nga Ballkani, në kualifikimet e Ligës së Konferencës ka avancuar Malisheva. 

Menjëherë pas festës së Ballkanit, ka reaguar trajneri i malishevasve, Qëndrim Kida. 

“FC Malisheva. Team”, ka shkruar Kida në llogarinë e tij në Facebook, me një fotografi të tij dhe me lojtarët që ai i drejton. 

Ballkani si kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. 

Vendi i dytë dërgon në kualifikimet e Ligës së Evropës. 

Ky vend aktualisht është i hapur një xhiro para fundit. 

Llapi i dyti ka 68 pikë, kurse Drita e treta ka 66 pikë. 

Në xhiron e fundit të Superligës për edicionin aktual, Llapi luan në udhëtim te Liria, ndërsa Drita e pret Malishevën.

Reagimi i Malishevës:

Ne bëmë histori! Jemi të emocionuar që FC Malisheva është kualifikuar në UEFA Conference League për edicionin 2024-2025 për herë të parë ndonjëherë! Kjo është një arritje e rëndësishme që pasqyron përkushtimin, punën e palodhur dhe pasionin e çdo anëtari të ekipit tonë.

Nga seancat stërvitore e deri tek ndeshjet, çdo hap i këtij rrugëtimi ka qenë i mbushur me vendosmëri dhe këmbëngulje. Kemi kapërcyer sfidat, kemi shtyrë kufijtë tanë dhe kemi dalë më të fortë se kurrë më parë.

Ne duam të falënderojmë nga zemra fansat tanë dhe të gjithë qytetarët e Malishevës që na kanë mbështetur në çdo hap të rrugës. Inkurajimi juaj i palëkundur ka qenë forca jonë lëvizëse dhe ne mezi presim t'ju bëjmë krenarë në skenën evropiane.

Trajnerëve tanë, stafit dhe të gjithëve në prapaskenë, faleminderit për mbështetjen dhe besimin tuaj të pafund në ekipin tonë. Udhëzimi juaj ka qenë i dobishëm për të na ndihmuar të arrijmë këtë moment historik.

Tani, është koha ta prezantojmë FC Malishevën me krenari dhe pasion në skenën evropiane. Së bashku, do të shkruajmë kapitullin tjetër në trashëgiminë e ekipit tonë.

Bëhuni gati për të brohoritur më fort se kurrë më parë!!!