Futboll

Reagon kampioni, fton FFK-në të ndërmarrë masa ndaj arbitrave

Ballkani

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani ka dalë me reagim pak orë pas njoftimit nga Feronikeli 74 për tërheqje nga garat e Superligës.

Në reagimin e Ballkanit thuhet se gati çdo javë përballen me vendime kontestuese nga gjyqtarët. 
Ballkani fton Federatën e Futbollit të Kosovës që të ndërmerren masa progresive në referim.

“FC Ballkani e ka pranuar me shqetësim shumë të thellë, njoftimin nga Feronikeli’74 se ky klub ka vendosur të tërhiqet nga garat e mëtutjeshme të Superligës.
Arsyet e skuadrës nga Drenasi i ndjejmë të gjithë, pasi më nuk është i fshehur fakti se po përballemi me verditke kontestuese nga gjyqtarët e ndeshjeve, pothuajse çdo javë.
Ne si klub kampion e që i kemi dhënë shumë futbollit të Kosovës, bëjmë apel tek Federata e Futbollit të Kosovës që të ndërmerren masa progresive në referim, pasi kjo që sot po ndodh me Feronikelin, nesër mund të ndodh me ne apo klubet tjera kosovare”, shkruan në reagimin e Ballkanit.

Tutje Ballkani shkruan se Feronikeli 74 është ikonë e futbollit të Kosovës.
“Ekipi ikonik nga Drenica është i lidhur ngushtë me historinë e futbollit tonë shtetëror, është 3 herë kampion, po aq herë fitues i Kupës së Kosovës e triumfues në dy Superkupa. Klubet e tilla që kanë kontribuar gjatë që sporti më i dashur i tifozëve të shënojë progres, janë asete të Republikës andaj nuk mund të lejohet që t’i shikojmë të detyruar për akte të tilla”, shkruan Ballkani.

Feronikeli 74 është ankuar tërhequr nga garat me pretendimin se është dëmtuar rëndë nga arbritrat në shumë ndeshje.