Futboll

Rashfordi ftohet nga Anglia për ndeshjen me Shqipërinë

Marcus Rashford

Selektori i ri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka publikuar listën për ndeshjen e 21 marsit me Shqipërinë dhe për ndeshjen me Letoninë që zhvillohet më 24 mars. 

Tek Anglia është kthyer Marcus Rashford, që tani po luan tek Aston Villa. Ai së fundi luajti për Anglinë në mars të vitit 2024, në miqësoren ndaj Brazilit. Por ka impresionuar prej se u huazua nga Manchester Unitedi tek Aston Villa dhe Tucheli vendosi t’ia jap rastin.

Për herë të parë në përfaqësuesen angleze janë ftuar Dan Burn i Newcastle Unitedit dhe Myles Lewis-Skelly i Arsenalit.

Ndeshja Angli – Shqipëri i takon kualifikimeve për Botërorin 2026 dhe zhvillohet në “Wembley”.
Tucheli për dy ndeshjet e këtij muaji ftoi 26 lojtarë, ndërsa bie në sy edhe përfshirja e Jordan Hendersonit, mesfushorit të Ajaxit.

Henderson, 34-vjeçar, kishte debutuar me Fabio Capellon në vitin 2010, ndërsa së fundi luajti ndaj Maltës në nëntor 2023. 

Portieri i Burnleyt, James Trafford, dhe mbrojtësi i Liverpoolit, Jarell Quansah, shpresojnë në paraqitjet e para me ekipin senior të Anglisë, shkruan BBC. Është ftuar edhe Dominik Solanke, që mungoi dy muaj për shkak të një lëndimi. Ai luajti të dielën për Tottenhamin.

BBC më së shumti rëndësi i ka kushtuar kthimit të Rashfordit. Ai nuk ka shënuar ende gol për Villan, por ka bërë katër asistime dhe është paraqitur mirë. 27-vjeçari i ka 60 paraqitje për Anglinë, ndërsa i ka shënuar tetë gola. Por pasi ra nga forma tek Unitedi, ish-selektori Gareth Southgate nuk llogariste në të.

“Marcusi është në rrugë të mirë. Menduam se tani është koha e duhur për ta shtyrë përpara me këtë nominim”, ka thënë Tuchel.

“Ai ka pasur ndikim të madh së fundi tek Aston Villa. Jam kënaqur duke e parë duke u munduar që të jetë bashkëlojtari më i mirë dhe të shoh energjinë e vazhdueshme në lojën defenzive. Nuk ka dyshime për talentin dhe kualitetin e tij, por ta shoh duke qenë aq vendimtar dhe aq i përfshirë fizikisht më ka dhënë përshtypjen që është momenti i duhur që ta ftojmë”.

Dan Burn shpreson të debutojë tek Anglia në moshën 32-vjeçare. Ai u ftua pasi po paraqitet mirë te Newcastle Unitedi.

“Është moment i mahnitshëm për Danin dhe mendoj se askush nuk e meriton më shumë se ai”, ka thënë trajneri i Newcastle Unitedit, Eddie Howe. “Ai erdhi tek ne kur po luftonim për mbetje në Premier League. Është djalosh aq inspirues, por edhe i talentuar. Është një prej rrëfimeve më të mira sportive, një prej kthimeve më të mira. Atij i është dashur të kalojë rrugë të vështirë, ka lëvizur nga liga në ligë me përkushtimin, profesionalizmin, lidershipin dhe figurën inspiruese”.

18-vjeçari Lewis-Skelly ka debutuar tek Arsenali vetëm në shtator, por u bë ndërkohë shumë i rëndësishëm për “topçinjtë”. Ai luan në shumë pozita, ndërsa këtë edicion i ka 25 paraqitje. Trafford e Quansah janë ftuar edhe në të kaluarën, por nuk kanë debutuar.

Natyrisht, sulmin e Anglisë do ta udhëheqë kapiteni Harry Kane, ndërsa ndaj Shqipërisë do të jenë edhe yje të tjerë të shumtë si Jude Bellingham për shembull.
 

Ekipi i Anglisë

Portierë:  Dean Henderson (Crystal Palace), Jordan Pickford (Everton), Aaron Ramsdale (Southampton), James Trafford (Burnley)a
Mbrojtës: Dan Burn (Newcastle United), Levi Colwill (Chelsea), Marc Guehi (Crystal Palace), Reece James (Chelsea), Ezri Konsa (Aston Villa), Myles Lewis-Skelly (Arsenal), Tino Livramento (Newcastle United), Jarell Quansah (Liverpool), Kyle Walker (AC Milan)l
Mesfushorë: Jude Bellingham (Real Madrid), Eberechi Eze (Crystal Palace), Jordan Henderson (Ajax), Curtis Jones (Liverpool), Cole Palmer (Chelsea), Declan Rice (Arsenal), Morgan Rogers (Aston Villa)
Sulmues: Jarrod Bowen (West Ham United), Phil Foden (Manchester City), Anthony Gordon (Newcastle United), Harry Kane (Bayern Munich), Marcus Rashford (Aston Villa), Dominic Solanke (Tottenham Hotspur)